Xhiro e Italisë ka mbyllur dje etapën e saj të tretë dhe të fundit në Shqipëri, me një garë të zhvilluar në qytetin e Vlorës. Edhe pse gjithçka shkoi pa incidente serioze, një episod gazmor u regjistrua gjatë garës: një dhi u fut papritur në rrugë, duke penguar disa çiklistë dhe përplasur me Dion Smith.
Çiklisti nga Zelanda e Re, 32-vjeç, reagoi me shpejtësi dhe arriti të shmangte një rrëzim serioz. Pas garës, ai e komentoi me humor ngjarjen.
“Nuk kisha shumë kohë për të menduar. E pashë dhinë rreth 10 sekonda përpara. Një polic po përpiqej t’i ndalonte, por një ose dy arritën të kalonin. Nuk e dija nga cila anë do kalonte – të gjithë shkuan majtas, unë zgjodha djathtas. Në fund shkoi mirë”, tha Smith.
Fatmirësisht, përplasja nuk solli pasoja fizike për sportistin dhe gara vijoi normalisht. Ky moment i papritur u kthye në një nga skenat më të komentuara të ditës, duke sjellë buzëqeshje në rrjetet sociale dhe mes tifozëve të çiklizmit.







