FLASH :

Video/”Fajin e ka trajneri” – Sulmuesi i Juventusit, Arman Durmishi, shpërthen pas dështimit të Shqipërisë U-17 në Europian

Pas një paraqitjeje zhgënjyese në Europianin U-17 që u zhvillua në Shqipëri, sulmuesi 16-vjeçar i Kombëtares shqiptare dhe njëherësh pjesë e akademisë së Juventusit, Arman Durmishi, ka folur hapur për problemet në ekipin kuqezi.

Në një intervistë për “RTSH Sport”, Durmishi ka fajësuar trajnerin Andrea Tedesco për rezultatin katastrofik të skuadrës, e cila u eliminua me tre humbje radhazi dhe një golavarazh tronditës: 0-12. Shqipëria u mund me nga katër gola nga Franca, Portugalia dhe Gjermania, duke mos arritur të shënojë asnjë gol në të gjithë turneun.

Durmishi, që u vu re për sinqeritetin dhe emocionet në intervistën e tij, theksoi se klima në ekip nuk ishte pozitive dhe se vendimet teknike të trajnerit kishin ndikuar negativisht në performancën e lojtarëve në fushë. “Fajin e ka trajneri”, u shpreh ai shkurt, duke mos fshehur zhgënjimin për mënyrën se si menaxhohej grupi.

Edhe pse i ri në moshë, futbollisti i talentuar që aktivizohet te Juventusi nuk e kurseu autokritikën ndaj sistemit, ndërsa pamundësia për të artikuluar në mënyrë të qartë shqipen e tij – për shkak të rritjes jashtë vendit – nuk e pengoi të dërgojë një mesazh të drejtpërdrejtë për nevojën e ndryshimit në stafin teknik të përfaqësueses së re.