Personi përgjegjës për shpërthimin e një bombe vetëvrasëse para një klinike fertiliteti në Palm Springs, Kaliforni, është identifikuar si Guy Edward Bartkus, 25 vjeç. Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 11:00 përpara qendrës American Reproductive Centers, ku Bartkus aktivizoi një mjet shpërthyes brenda makinës së tij Ford Fusion, duke shkaktuar vdekjen e vet dhe plagosjen e katër të tjerëve. Askush prej të lënduarve nuk ishte punonjës i klinikës.
FBI dhe autoritetet lokale e kanë klasifikuar ngjarjen si një “akt i qëllimshëm terrorizmi”. Në shtëpinë e Bartkus, ku më vonë u krye një bastisje, u gjetën armë të rënda, përfshirë një AK-47 dhe pushkë të tjera automatike. Po ashtu, pranë mjetit u gjetën prova që sugjerojnë se ai kishte tentuar të regjistronte shpërthimin përmes një kamere të vendosur në tripod, por videoja nuk u ngarkua dot në faqen e tij.
Në një regjistrim 30-minutësh të publikuar online përpara shpërthimit, Bartkus deklaroi se ishte “pro-mortalist”, një ideologji që nxit vdekjen e vetëdijshme për të shmangur vuajtjet personale dhe për të parandaluar vuajtjet e qenieve të tjera ndjesore që mund të lindin. Ai shprehu urrejtje të veçantë ndaj klinikave të IVF-it, duke i akuzuar se “sjellin në jetë fëmijë me vetëdije” dhe duke shtuar: “Jam i zemëruar që ekzistoj, askush s’më pyeti nëse dua të vij në këtë botë.”
Shpërthimi shkatërroi pjesë të ndërtesës, duke përfshirë zyrat e konsultimeve me pacientët, por nuk preku laboratorin e IVF-së apo embrionet e ruajtura, konfirmoi drejtori i klinikës, Dr. Maher Abdallah. Për fat të mirë, të shtunën nuk kishte pacientë të planifikuar.
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom reagoi përmes një deklarate, duke thënë se shteti po punon me autoritetet federale për të menaxhuar pasojat e ngjarjes.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në komunitetin lokal dhe ka ndezur debat rreth radikalizimit të individëve që ndjekin filozofi nihiliste si ajo e “anti-natalizmit” dhe “pro-mortalizmit”.



