FLASH :

Vetëvaret 73-vjeçari në Malësi të Madhe, gjendet pa jetë në banesë

Në fshatin Rrashkullaj të njësisë Gruemirë, një 73-vjeçar është gjetur pa shenja jete nga familjarët në banesën e tij. Dyshohet se i moshuari i ka dhënë fund jetës në rrethana tragjike.

Ndërkohë, në Pukë, një 38-vjeçar është lënduar lehtë gjatë riparimit të një mjeti pune në minierën e bakrit në zonën e Munellës. Pas marrjes së ndihmës mjekësore në spitalin e Pukës, ai është larguar drejt banesës në gjendje të stabilizuar.

Po në Shkodër, rreth orës 01:30 të mëngjesit, në lagjen “Ndoc Mazi”, një shkëndijë elektrike dyshohet se ka shkaktuar zjarr në një banesë private, duke sjellë dëme materiale. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.

Njoftimi:

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në fshatin “Rrashkullaj”, Gruemirë, është gjetur nga familjarët e tij, pa shenja jete, shtetasi B. L., 73 vjeç, i cili dyshohet se ka varur veten në banesën e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në minierën e bakrit në Munellë, në fshatin Kimez, është dëmtuar lehtë, gjatë riparimit të mjetit të punës, shtetasi F. Z., 38 vjeç. Ky shtetas pasi mori mjekim në ambientet e spitalit Pukë, është larguar për në banesë, pa probleme shëndetësore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Informacion paraprak
Rreth orës 01:30, në lagjen “Ndoc Mazi”, dyshohet se, për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit Gj. Q. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.