FLASH :

“Vetëm një dhimbje barku” – 29-vjeçari vdes nga pankreatiti akut, pasojë e abuzimit me alkoolin

Një 29-vjeçar britanik, Dylan Thomas Wakefield, ka ndërruar jetë tragjikisht vetëm disa javë pasi përjetoi një dhimbje të fortë barku – që më vonë rezultoi të ishte pankreatit akut, një sëmundje vdekjeprurëse e lidhur ngushtësisht me konsumimin e tepruar të alkoolit. Historia e tij ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur alarmin për pasojat e pirjes së tepërt në moshë të re.

Më 24 prill, Dylan u zgjua me një dhimbje therëse në pjesën e sipërme të barkut. Fillimisht u diagnostikua me gastrit, por gjendja u përkeqësua shpejt. Brenda pak orësh, mjekët zbuluan se ai vuante nga pankreatiti akut – një inflamacion i rëndë i pankreasit, që mund të shkaktojë vdekje të indeve, infeksion dhe më pas sepsë fatale.

Vëllai i tij, Nathan Lamb, tregoi se Dylan “e donte një gotë”, por askush nuk e priste që një sëmundje e tillë të shfaqej kaq herët në jetë. Mjekët e futën të riun në koma të induktuar për të lehtësuar punën e organeve, dhe për disa ditë gjendja e tij u stabilizua. Megjithatë, pas tre javësh, shëndeti i tij u përkeqësua sërish, dhe ai ndërroi jetë më 28 maj.

Dylan ishte baba i tre fëmijëve dhe pjesë e një familjeje të madhe me tetë vëllezër e motra. Pas vdekjes së tij, miqtë kanë nisur një fushatë për të ndihmuar me shpenzimet e varrimit. Mjekët britanikë theksojnë se pankreatiti prek rreth 2,500 persona në vit në Mbretërinë e Bashkuar, dhe një në pesë raste përfundon në formën më të rëndë, atë nekrotizuese.

Rasti i Dylan Wakefield sjell në vëmendje rrezikun që paraqet pirja e tepruar e alkoolit, veçanërisht mes të rinjve. Sipas të dhënave të fundit nga ONS, vdekjet e lidhura me alkoolin në Britani janë në nivelin më të lartë historik, me 10,500 raste vetëm në vitin 2023 – një rritje prej 38% krahasuar me vitin 2019.