FLASH :

Vesi del me shpirtin/ Hajduti në arrest shtëpie, del dhe vjedh makinën

Një 19-vjeçar nga Elbasani, që duhej të ndodhej në arrest shtëpie për vjedhje, është kapur në flagrancë në Tiranë ndërsa qarkullonte me një automjet të vjedhur, vetëm pak orë pasi e kishte rrëmbyer gjatë natës në qytetin e tij të lindjes. Finalizimi i operacionit policor të koduar “Cooperation” bëri të mundur lokalizimin dhe prangosjen e të riut, i cili jo vetëm theu vendimin e gjykatës, por edhe qarkullonte pa patentë në një tjetër qytet.

Ngjarja nisi në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit, ku gjatë orëve të para të mëngjesit të 14 korrikut u raportua vjedhja e një automjeti në pronësi të shtetases Xh. Sh. Policia vendore reagoi menjëherë duke verifikuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe duke identifikuar autorin si shtetasi E. B., një emër i njohur për strukturat për shkak të precedentëve penalë për vjedhje.

Në kohë rekord, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan bashkëpunuan me efektivët e Tiranës dhe falë shkëmbimit të informacionit, u bë e mundur ndjekja dhe më pas arrestimi i tij në zonën e rrugës “Kastriotët”. I riu u kap në timonin e mjetit të vjedhur, pa leje drejtimi, duke qarkulluar i lirë në kryeqytet, si të mos kishte ndodhur asgjë.

Sipas Policisë, E. B. kishte një masë sigurie të dhënë nga Gjykata e Elbasanit për veprën penale “Vjedhja”, e cila e detyronte të qëndronte në banesë. Por ai jo vetëm që e theu këtë masë, por e përshkallëzoi rrezikshmërinë duke kryer një tjetër vepër penale, të dytën brenda një kohe të shkurtër.

Automjeti u sekuestrua menjëherë si provë materiale, ndërsa ndaj të riut tashmë rëndojnë tre akuza të drejtpërdrejta: “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Vjedhja” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Materialet për këtë rast janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ndërkohë që hetimet vijojnë për të zbardhur nëse i riu ka qenë i përfshirë në raste të tjera të ngjashme vjedhjesh.