Pas denoncimit të fundit mbi problemet në Kadastrën e Sarandës, një valë komentesh dhe reagimesh ka shpërthyer nga qytetarët në rrjetet sociale. Ata ndajnë histori të ngjashme për korrupsion, zvarritje dhe padrejtësi që i kanë lënë pa dokumentet e pronësisë për dekada.
“Ligji 7501 është problemi kryesor”
Një pjesë e madhe e komentuesve theksojnë se ligji 7501 ka krijuar kaos dhe konflikte pronësie në të gjithë Shqipërinë.
“Këtu ndikoi negativisht edhe ligji 7501. Po të mos ishte ai, nuk do kishim gjithë këto probleme sot”, shkruan një komentues.
Një tjetër shton: “Po të mos ishte ky ligj i ndyrë, toka do i kishte shkuar pronarit të vërtetë dhe s’do ishim në këtë situatë”.
“Me këtë Kadastër doni të hyni në BE?”
Shumë qytetarë e lidhin këtë kaos me mungesën e reformave serioze në administratë.
“Me këtë Kadasër doni të hyni në BE? Kjo është banda më e madhe e vjedhjes së pronave”, shprehet një qytetar i revoltuar.
Një tjetër shton: “Kadastrat janë kancer jo vetëm për Borshin dhe Sarandën, por për gjithë Shqipërinë! Unë i kam dorëzuar dokumentet në 2020, dhe në 2024 më thonë që duhet të aplikoj nga e para!”
“Pa lek, nuk e mbaron kurrë punën”
Shumë qytetarë tregojnë se, pavarësisht se i kanë të gjitha dokumentet e rregullta, janë të detyruar të japin ryshfet për të përfunduar proceset e tyre.
“Pa para, nuk merr as certifikatën më të thjeshtë. Nuk lëvizin as një gjethe pa marrë rryshfet”, shkruan një komentues.
Një tjetër thotë: “Na kanë tallur. Jam pensionist dhe nuk kam fuqi të ndjek këtë çështje. Dokumentet i kam dorëzuar sipas ligjit, por askush nuk më përgjigjet”.
“Hipotekat dhe noterët janë në shërbim të të fortëve”
Denoncimet për favorizime të hapura ndaj oligarkëve dhe njerëzve me pushtet nuk mungojnë.
“Kadastra dhe noterët e lidhur me ta janë bërë vegla të oligarkëve dhe politikanëve. Tokat tona janë marrë nga të fortët, ndërsa ne sorollatemi me dokumente të pasakta”, shkruan një qytetar i Sarandës.
Një tjetër thekson: “Kadastra e Fierit nuk më jep certifikatën e pronës sepse ia ka dhënë hajdutëve. I kam të gjitha dokumentet e rregullta, por asgjë nuk lëviz”.
“Një peshk që qelbet nga koka”
Komentet vazhdojnë me akuza të forta për korrupsionin në administratë:
“Hipoteka dhe Kadastra janë simboli i korrupsionit. Askush nuk e ndreq këtë punë sepse të gjithë përfitojnë”, shkruan një qytetar nga Vlora.
“Kadastra është në duart e mafies”
Disa komentues janë edhe më të ashpër në vlerësimet e tyre për situatën:
“E kanë lënë qëllimisht kështu që të përfitojnë vetë. Mafia e pronave është më e fuqishme se shteti”.
Një tjetër thekson: “Nëse nuk ndërhyn SPAK, do të vazhdojë kështu përjetësisht. Ky është krim shtetëror”.
A do të ketë reagim nga institucionet?
Valët e denoncimeve dhe zemërimit publik tregojnë se problemet me pronat janë një nga çështjet më të ndjeshme në Shqipëri. Por a do të ketë ndonjë zgjidhje, apo gjithçka do të vazhdojë të mbetet një pengesë e pakapërcyeshme për qytetarët? Qytetarët kërkojnë drejtësi, por për momentin, Kadastra mbetet simboli i një administrate të zhytur në korrupsion dhe padrejtësi.



