FLASH :

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut është një fitore juridike për Edi Ramën

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut është një fitore juridike për Edi Ramën. Ky vendim duhet të shndërrohet në kriter për funksionimin e drejtësisë penale dhe për balancën e pushteteve.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është amnisti morale për Ballukun dhe as pengesë për SPAK-un. Nuk shpall pafajësi, nuk ndalon hetimin, nuk relativizon korrupsionin. Vendos vetëm një kufi, që përbërja e ekzekutivit të mos ndryshohet përmes masave penale përpara se gjykata të flasë. Kjo nuk është dobësim i luftës kundër korrupsionit, por mbrojtje e ndarjes së pushteteve.

Krahasimi në Shqipëri
Dorëheqja e Metës nuk ishte një akt moral, por një menaxhim politik i situatës, duke e ditur që drejtësia e asaj kohe nuk do ta dënonte kurrë edhe pse isht kapur me zë e figurë në krim.

Precedenti ndërkombëtar (Italia)
Në Shqipëri nuk e themi dot haptazi se SHBA janë pas SPAK-ut, por bazuar në atë çka ndodhi në Itali me Duart e pastra, skenari duket i njëjtë. Ngjashmëria më e fortë me atë situatë është fakti se “Paraburgimet u përdorën si mjet presioni dhe jo masë e jashtëzakonshme”

Shteti italian u detyrua të miratojë Dekretin Biondi për parashkrimin, duke liruar rreth tre mijë persona, prej të cilëve vetëm 5% u rikthyen në burg. Një pranim i heshtur se 95% qind e paraburgimeve kishin qenë abuzive.

Por situata politike dhe korruptive pas atyre proceseve nuk ndryshoi qartësisht për mirë në Itali, çka e ka pohuar vetë një nga prokurorët më të rëndësishëm të asaj kohe, Francesco Borrelli.

Morali politik ka vendin e vet. Por kur ai kthehet në kriter për arrestim, pezullim dhe delegjitimim para gjykimit, drejtësia humbet rolin e saj dhe shndërrohet në instrument frike. Historia italiane e tregon qartë se kur prokuroria fiton pushtet imperial, politika paralizohet, liria personale gërryhet dhe besimi në drejtësi bie.

Prandaj fitorja juridike e Ramës nuk është thjesht mbrojtje e një zyrtareje. Është një sinjal se shteti nuk mund të qeveriset nga paraburgimi preventiv dhe nga presioni moral para vendimit gjyqësor. Sepse kur drejtësia humbet masën, ajo nuk forcohet, ajo komprometohet. (Lajmetroç.al)