Duket se pritshmëritë e opozitës shqiptare për një favorizim të mundshëm nga administrata e Donald Trump nuk po përputhen me realitetin në terren. Ndërsa demokratët shpresonin që një rikthim i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë do të sillte një qasje më të butë ndaj Sali Berishës dhe Partisë Demokratike, sinjalet e fundit nga përfaqësuesit amerikanë në Tiranë tregojnë një mbështetje të vazhdueshme për kampin socialist.
Gjithashtu, një avokat amerikan ka ardhur në mbrojtje të Veliajt duke thënë :
“Emri im është Joshua Roberts, jam partneri i një studioje ligjore amerikane që këshillon kryetarin Veliaj dhe jemi në dijeni për arrestin e tij prej datës 10 shkurt.”
Vëllai i Kryebashkiakut të Tiranës, Arbër Veliaj, ka sqaruar publikisht arsyet e financimit të tij ndaj studios ligjore amerikane Kasowitz, e cila njihet për mbrojtjen e Presidentit Donald Trump.
“Unë jam Arbër Veliaj, një sipërmarrës me një përvojë 19-vjeçare në biznes, me të ardhura plotësisht të ligjshme, të cilat burojnë nga aktiviteti im tregtar i zhvilluar për gati dy dekada, në pavarësi të plotë nga im vëlla, Erion Veliaj,” deklaroi ai.
Gjatë këtyre viteve, Arbër Veliaj thekson se ka krijuar një portofol të suksesshëm klientësh ndërkombëtarë, duke punësuar mbi 80 vetë dhe duke i paguar shtetit shqiptar të gjitha detyrimet si një taksapagues i rregullt dhe kontributor në zhvillimin e sektorëve ku operon.
“Në këtë kontekst, sqaroj publikisht se jam unë garanti financiar për angazhimin e një studioje ligjore amerikane, e cila do të sigurojë konsulencën dhe strategjinë për mbrojtjen juridike të vëllait tim, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt. Ky veprim, përveçse në lidhjen time të pandashme me tim vëlla, bazohet në bindjen time të plotë për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtës dhe të së vërtetës,” përfundon ai.
Deklarata e tij vjen në mes të spekulimeve mbi financimin e studios së njohur ligjore Kasowitz, e cila ka përfaqësuar figura të njohura politike dhe biznesi në Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, ky financim është një akt i qartë për mbrojtjen e integritetit dhe transparencës në proceset ligjore që prekin vëllain e tij.
Nuk dihet ende se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të procesit, por angazhimi i studios Kasowitz sjell një dinamikë të re në zhvillimet juridike lidhur me Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.