FLASH :

Velipojë – Vijon operacioni “Plazhi i lirë”, procedohen penalisht dy persona për zaptim prone publike dhe ndërtim pa leje

Operacioni “Plazhi i lirë” ka zbarkuar edhe në Velipojë, ku strukturat e Policisë kanë ndërmarrë kontrolle intensive për të liruar hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve gjatë sezonit veror. Si rezultat, dy shtetas janë proceduar penalisht pasi kishin zaptuar prona publike në zonën turistike të rrugës nr. 9, në fshatin Velipojë.

Gjatë kontrolleve të kryera nga specialistët e Hetimit të Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me Seksionin për Krimet Ekonomike të DVP Shkodër dhe Policinë Bashkiake, u konstatua se shtetasi A. H., 63 vjeç, kishte përshtatur një hapësirë publike për përdorim privat pa leje, ndërsa shtetasi T. Q., 44 vjeç, kishte ndërtuar një objekt metalik për përfitim ekonomik, gjithashtu pa autorizim nga autoritetet. Të dy shtetasit po procedohen për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Policia e Shkodrës thekson se operacioni do të vijojë në të gjitha zonat turistike të qarkut, për të ndaluar çdo veprimtari që cenon hapësirat publike. Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje ligjore në numrin pa pagesë 112.