Erion Veliaj ka vazhduar të bëjë si viktimë nga mjedisi i paraburgimit ku qëndron, i hetuar për vepra të rënda penale.
Ai e niste tragjikomedinë e radhës me fjalët për shembull se “gruaja e tij ndodhej vetëm me fëmijën”, si për ta hiperbolizuar në ekstrem, se drejtësia e re, i kishte rënë në qafë kur ai nuk ndodhej në shtëpi, por në udhëtim, a thua se i duhet marrë leje të pandehurve për vepra të rënda se kur dhe si duhet të hetohen!
E bukura është se Veliaj vazhdon të aktrojë, sikur shkruan vetë nga burgu në qeli, për të krijuar njëfarë imazhi si disidenti letrar politik si Kadareja i tij i dashur, që e morëm vesh se na qe disident vetëm kur një ditë befas filloi të flasë.
Në fakt, dihet se asnjë nga të burgosurit apo të paraburgosuri nuk u lejohet celular dhe aq më pak interneti në burg, përjashto këtu nëse shkel ligjin, çka do ishte rast për një tjetër hetim.
Por nuk është kjo më e rëndësishmja.
Më rëndësi kanë tezat politike dhe argumentative që ai mban.
Veliaj bën sikur ndaj tij është bërë një komplot i krahut PD-ist të infiltruar në SPAK. Por vetë Rama thotë se është ai që i ka dhënë “shpatën” SPAK-ut për të vepruar dhe jo Berisha. Megjithatë, edhe Rama e ka përmendur që ka prokurorë në Spak që sipas tij, furnizojnë me info të dosjeve mediat dhe opozitën. Kështu që deri këtu dyshja Rama-Veliaj duket në sintoni, për kompltotin pd-ist të Spakut ndaj tyre.
Për ta bërë dhe më të qartë linjën, Veliaj përdor madje dhe termin “kënetë”, për të qenë në harmoni të plotë me diskursin më të fundit politik të Ramës për të baltosur opozitën, një term që ka nisur ta përdorë për fushëtë pas arrestimit të Veliajt, por për të cilin ky i fundit ka marrë gjithsesi update.
Ajo që duket qartë është sikur Veliaj po do t’i thotë Ramës që jemi ende kolegë.
Të njëjtën gjë ai bëri edhe me çunat e Spak. Sa kohë ndaj tij nuk rëndonin akuza penale, ata ishin kolegë, ndërsa tani që akuzohet për vepra konkrete, ata janë falanga ekstreme e PD-së në drejtësi.
Duket se Erioni do t’i thotë Ramës se ai e di që e ka peshqesh prej tij arrestimin, por se do të vazhdojë të ruajë liunjën politike të partisë, për sa kohë ka ende shpresë që ai mund t’ia dalë paq. Kështu që nuk përjashtohet kthimi i timonit edhe përballë Ramës, në momentin që Veliaj sheh që 27 vitet burg që përmendi vetë, mund të jenë një rrezik real.
Ndërkohë në mediat pro Velias ka nisur një mësymje kundër Belinda Ballukut, e cila mendohet gjithashtu se ka qenë më e interesuara për atë që i ndodhi erionit, për të përfituar nga rasti, që ta parakalonte në hierarki.
Në pritje të melodramës të radhës nga burgu, kjo është gjendja aktuale në kampin qeveritar.