Gjyqtari Engert Pëllumbi, pasi dënoi Saimir Tahirin, për favorizim të klaneve të trafikut të drogës, ka konfirmuar dhe masën e arrestit me burg për krye bashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, i akuzuar për fshehje pasurie dhe korrupsion, i cili e kishe apeluar këtë vendim.
Një trysni dhe baltosje e jashtëzakonshme mediatike ra mbi gjyqtarin nga media të majta e të djathta, që po përpiqeshin ta intimidonin nga të dyja krehët politikë, për vendimin që ai do të merrte.
Por ata që e njohin gjyqtarin, e dinë mirë integritetin e tij moral dhe mosdepërtimin e faktorëve të jashtëm, në vendimet e brendshme profesionale, frymëzuar nga drejtësia tokësore dhe ajo hyjnore ku gjyqtari beson me shumë devotshmëri.
Në një vend ku jemi mësuar të shohim vetëm lapanjosë partiakë dhe ushtarë të partisë, dikush që nuk vepron në interes të asnjë klani partiak, me siguri do të fillojë të sulmohet si i çmenduar, apo me probleme.
Shoqëria jonë nuk është ende e gatshme për një “Falkone” dhe ai na vjen kaq papritur duke na gjetur të papërgatitur dhe të pa mësuar.
Rreziku është qe këto vendime të drejta, të paanshme dhe të pavarura, nëse e rrisin intensitetin dhe presin dhe koka më të larta, është që të përballen me pengimin e ekzekutivit ndaj vendimeve të gjyqësorit.
Kjo do ta rreshtonte Ramën në një vijë me Berishën, kur pengonte ekzekutimet e vendimeve të sistemit gjyqësor, në kohën e Ina Ramës.
Deri atëherë, shoqëria jonë duhet të bëjë gjithçka që të mbrojë gjyqtarë si Engert Pëllumbi, që po i shërben Atdheut, duke pastruar Shqipërinë nga klasa e korruptuar 34-vjeçare politike, për të krijuar Republikën e Dytë të pastruar në kohë të Demokracisë në vend.