FLASH :

Vdekja e turistit në Durrës/ Pronari u dha Jet Ski-në pa pasur leje drejtimi dhe s’i pajisi me jelekë! Vihet në pranga (EMRAT)

Policia arrestoi 56-vjeçarin Luis Xhumari, pronar i kompanisë që u dha me qira ‘Jet Ski’-në, dy turistëve që nuk kishin leje drejtimi. Si pasojë e aksidentit në det, 34-vjeëari britanik humbi jetën, ndërsa partnerja e tij është në gjendje të rëndë.

DURRËS– Një aksident i rëndë detar ndodhi gjatë fundjavës në Durrës, ku një turist britanik humbi jetën dhe partnerja e tij mbeti e plagosur rëndë, pas përmbysjes së Jet Ski-së që kishin marrë me qira.

Ngjarja u shënua paraditen e së dielës, rreth orës 11:00, pranë zonës së Shkëmbit të Kavajës. Viktima është identifikuar si Silvester Dheug, 34-vjeçari, ndërsa e plagosura, Vera Ruani, 31-vjeçe; të dy me origjinë nga Gana dhe banues në Mbretërinë e Bashkuar. Çifti kishte ardhur në Shqipëri për pushime së bashku me miqtë e tyre.

Sipas policisë, ata kishin marrë me qira një motor uji (jet ski) nga kompania “St.Luis Ëatersports”, me pronar Luis Xhumarin. Menjëherë pasi hynë në det, viktima humbi kontrollin mbi Jet Ski, dhe të dy ranë në ujë. Forcat e Policisë Kufitare shkuan në vendngjarje por fatkeqësisht 34-vjeçari u gjet pa shenja jete, ndërsa e 31-vjecarja u transportua në spitalin e Durrësit, ku ndodhet ende në gjendje të rëndë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin L. Xh., 56 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, përballë  shkëmbit i Kavajës, rezultoi se shtetasi L. Xh., iu ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, shtetasve S. O. dhe V. B., të cilët nuk kanë qenë të pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh lundruese dhe nuk i ka pajisur me skafandra”, informoi sot policia. 

Ngjarja ndodhi në nisje të sezonit veror në Durrës, duke ngritur shqetësimin e kahershëm për mungesën e sigurisë detare dhe nevojën për kontrolle nga autoritetet shtetërore përgjegjëse, si Policia Kufitare dhe Agjencia e Bregdetit.