Durrës – Vijojnë kontrollet intensive përgjatë vijës bregdetare në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, me synim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës ndërhynë në lagjen nr. 1, në zonën e plazhit të Currilave, ku identifikuan dhe liruan dy hapësira publike të pushtuara pa leje. Në përfundim të kontrollit, u sekuestruan 27 komplete me çadra dhe shezlongë, të vendosura në mënyrë të paligjshme nga dy shtetas.
Policia njofton se ndaj shtetasve S. H., 45 vjeç dhe E. Sh., 33 vjeç, të dy banues në Durrës, është nisur procedimi penal në gjendje të lirë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Operacioni “Plazhi i lirë” do të vijojë përgjatë gjithë sezonit veror për të garantuar akses të barabartë në hapësirat publike për pushuesit, si dhe për të verifikuar ligjshmërinë e aktivitetit të subjekteve që operojnë në bregdet.







