Prej tre ditësh, zjarri në zonën e Selenicës në qarkun e Vlorës vijon të përhapet me intensitet, ndërsa forcat në terren përballen me flakët në mënyrë thuajse të pamundur. Pavarësisht rrezikut për banesat në fshatrat Verbas dhe Matogjinë, ndërhyrja po bëhet ende me mjete primitive, ku zjarrfikësit dhe banorët përdorin thupra dhe degë pemësh për të shuar flakët, në mungesë të pajisjeve dhe mjeteve efikase. Kjo situatë e vështirë po vë në rrezik serioz jetën e atyre që ndodhen në vijën e parë të përballjes.
Zjarri që nisi në fshatin Pllocë është përhapur me shpejtësi duke përfshirë disa fshatra, përfshirë Velçën, Ramicën dhe tani zonat e Verbasit dhe Matogjinës. Në ndihmë janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë, ndërsa nga ajri po operon një helikopter Cougar që hedh ujë mbi vatrat aktive. Megjithatë, në mungesë të koordinimit, logjistikës moderne dhe një strategjie të qartë, situata mbetet kritike, ndërsa zjarret vijojnë të përparojnë në një terren të vështirë dhe të rrezikshëm. Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve për më shumë mbështetje përpara se situata të dalë jashtë kontrollit.