Sot prej orës 09:00 do të vijojë në gjykatë procesi për vrasjen e Liridona Ademajt, ngjarje që ka tronditur opinionin publik. Sipas juristes për media, Flutura Kusari, nesër pritet të dëshmojë vëllai i viktimës, Leonardi Ademaj, një moment kyç për zbardhjen e motivit dhe rrethanave të krimit.
Ndërkohë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik ndaj të pandehurit Naim Murseli, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij. Sipas raportit, Naim Murseli nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor, sëmundje mendore apo dëmtim në perceptimin e realitetit. Ekspertët nuk kanë konstatuar as përdorim të substancave narkotike apo alkoolit. Ky konstatim përforcon akuzat ndaj tij, pasi e përjashton mungesën e përgjegjësisë penale për arsye psikiatrike.