FLASH :

Vazhdojnë kërkimet për personin e zhdukur nga trageti Greqi–Itali

Roja Bregdetare dhe Policia Kufitare shqiptare po vijojnë patrullimet intensive përgjatë vijës detare në përpjekje për të gjetur pasagjerin që dyshohet se është zhdukur disa ditë më parë nga një traget i linjës Greqi–Itali.

Kontrollet janë përqendruar në zonën bregdetare të Gadishullit të Karaburunit, duke përfshirë gjiret e vogla, zonat shkëmbore si dhe vijën detare pranë Himarës. Deri më tani, nuk është gjetur asnjë gjurmë apo sinjal që të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personit të zhdukur.

Autoritetet kanë njoftuar edhe anijet turistike dhe peshkarexhat që operojnë në këtë zonë të jenë të kujdesshme dhe të raportojnë çdo informacion të mundshëm që mund të ndihmojë në hetime.

Sipas deklarimeve të ekuipazhit të tragetit, pasagjeri rezulton i zhdukur, por ende nuk dihet nëse ai ka rënë aksidentalisht në det, është hedhur vetë, apo është larguar në rrethana të paqarta. Hetimet janë në vijim dhe të gjitha strukturat përkatëse ndodhen në gatishmëri të plotë.