Vetëm disa orë pas shpalljes zyrtare të vdekjes së Papës Françesku, gazetarja konservatore amerikane Megyn Kelly ka shpërthyer në akuza të ashpra ndaj kreut të ndjerë të Kishës Katolike. Në episodin më të fundit të podcast-it të saj, të publikuar pasditen e së hënës, Kelly e akuzon Papën për “shtyrjen e Kishës drejt së majtës” dhe për mbështetje ndaj “emigracionit të paligjshëm” në Shtetet e Bashkuara.
Sipas saj, Françesku kishte ndikuar në sjelljen e emigrantëve të paligjshëm në SHBA dhe kishte lënë qytetarët amerikanë “të përballen me pasojat”. Ajo e quajti politikën e Papës ndaj refugjatëve dhe të varfërve si faktor që kontribuoi në “kaosin në kufirin jugor amerikan”.
Deklaratat e saj janë cilësuar të papërshtatshme dhe të papranueshme nga shumë ndjekës në rrjetet sociale, duke theksuar mungesën e respektit për një figurë botërore që sapo ka ndërruar jetë.

Vatikani konfirmon vdekjen e Papës Françesku – ceremonia dhe amaneti i fundit
Ndërkohë, Vatikani ka konfirmuar se Papa Françesku ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, pas një sulmi cerebral dhe dështimi të zemrës. Trupi i tij u vendos në një arkivol të thjeshtë prej druri në kapelën e hotelit Domus Santa Marta, ku ai kishte zgjedhur të jetonte, larg apartamenteve tradicionale papnore në Pallatin Apostolik.
Në fotot zyrtare të publikuara nga Vatikani, Papa shfaqet i paqtë, i veshur me petkat liturgjike të kuqe, mitrën në kokë dhe rruzaren në dorë. Apartamentet e tij janë vulosur dhe unaza e Peshkatarit bashkë me vulën papnore janë shkatërruar, sipas traditës.
Trupi i tij do të ekspozohet për homazhe publike në Bazilikën e Shën Pjetrit duke nisur nga nesër, ndërsa ceremonia mortore do të mbahet të shtunën në orën 10:00 në Sheshin e Shën Pjetrit, ku priten mbi 300 mijë persona.
Në testamentin e tij, Françesku kishte kërkuar që të varroset në Bazilikën e Shën Mërisë Maggiore, me një varr të thjeshtë dhe një mbishkrim të vetëm: “Franciscus”. Ai kishte porositur që të mos kishte luks, dhe që shpenzimet të mbuloheshin nga një bamirës anonim.
Ndër liderët që do të marrin pjesë në funeral janë Donald Trump, Emmanuel Macron, Volodymyr Zelensky, Lula da Silva dhe Javier Milei. Zia zyrtare në Vatikan do të zgjasë nëntë ditë, ndërsa konklava për zgjedhjen e papës së ri do të fillojë pas 15 ditësh.
