Vatikani ka njoftuar se do të çaktivizojë të gjitha sinjalet e telefonisë celulare brenda territorit të tij gjatë konklavës për zgjedhjen e papës së ri, për të garantuar fshehtësinë e votimit. Masa do të hyjë në fuqi nga ora 15:00 e datës 7 maj dhe do të zgjasë deri në shpalljen zyrtare të papës së ri, raporton “The Guardian”.
Sipas deklaratës zyrtare, “të gjitha sistemet e transmetimit të sinjalit të telekomunikimit për telefonat celularë të pranishëm në territorin e Shtetit të Vatikanit do të çaktivizohen”. Megjithatë, Sheshi i Shën Pjetrit nuk do të preket nga ky vendim.
Të mërkurën, 133 kardinalë nga e gjithë bota do të hyjnë në Kapelën Sistine për të filluar procesin e votimit për zgjedhjen e kreut të ri të Kishës Katolike, e cila numëron 1.4 miliardë besimtarë. Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, konfirmoi se kardinalëve do t’u ndalohet mbajtja e telefonave celularë gjatë konklavës, për të ruajtur sekretin dhe integritetin e procesit zgjedhor.