Një investigim i BBC News Mundo ka nxjerrë në dritë dëshmi tronditëse nga 252 venezuelianë të deportuar nga SHBA drejt burgut më famëkeq të El Salvadorit – Cecot – në kuadër të një marrëveshjeje të administratës Trump me qeverinë e Nayib Bukele. I ndërtuar për të strehuar anëtarët më të rrezikshëm të bandave, ky burg gjigant ka funksionuar si një objekt i izoluar, i mbrojtur nga sekreti, dhe sipas dëshmitarëve, si një “ferr i gjallë” ku dhuna është pjesë e përditshmërisë.
Arturo Suárez, një nga të liruarit, rrëfen se sapo mbërriti u rrah deri në humbje ndjenjash nga rojet e burgut, ndërsa drejtori i institucionit, Belarmino García, i “uroi mirëseardhjen” me fjalët: “Mirë se erdhe në varrin e burrave të gjallë. Këtu del vetëm i vdekur”. Të gjithë të intervistuarit mohojnë lidhjet me krimin dhe thonë se u arrestuan pa prova e pa mundësi për të mbrojtur veten. Disa besojnë se u targetuan për shkak të tatuazheve, që autoritetet amerikane i lidhin me grupin famëkeq Tren de Aragua.
Ata tregojnë për kushte çnjerëzore: gjumë mbi hekura, mungesë dyshekësh, urdhra për heshtje absolute, drita ndezur 24 orë, ushqim pa lugë, pa ujë të mjaftueshëm dhe pa akses në avokatë. Më e rënda ndodhte në një sektor të quajtur “Ishulli” – një njësi ndëshkimore ku të burgosurit thonë se torturoheshin sistematikisht, përfshirë dhunë seksuale. Vetëm gjatë vizitave të Kryqit të Kuq ose zyrtarëve amerikanë, situata lehtësohej për disa orë – mishi, çarçafët dhe trajtimi “human” shfaqeshin vetëm për kamerat.
Kjo histori ngre shqetësime të thella për shkeljet e të drejtave të njeriut nga të dy qeveritë. Administrata Trump, në një koment për BBC, tha se është mirënjohëse për “partneritetin me Presidentin Bukele” në largimin e kriminelëve të rrezikshëm nga SHBA, ndërsa mohoi t’u përgjigjej më tej akuzave. Deri tani, qeveria e El Salvadorit nuk ka dhënë asnjë koment për ngjarjen, ndërsa vetë presidenti Bukele më herët ka mohuar çdo shkelje të të drejtave në Cecot.
Një skandal që hedh dritë mbi anën e errët të politikës së emigracionit dhe aleancave të reja gjeopolitike në hemisferën perëndimore.







