Stina e verës është ulur tashmë “këmbëkryq” mbi vendin tonë, e shoqëruar nga temperatura të larta që bëhen të papërballueshme që në orët e para të mëngjesit. Por çfarë ndodh në trupin tonë kur ekspozohemi gjatë ndaj kësaj vape?
Sipas ekspertëve, organizmi vihet nën stres të lartë. Të gjitha sistemet që synojnë të përshtaten me nxehtësinë fillojnë të stërmundohen. Djersitja – një proces kyç për ruajtjen e freskisë – bllokohet, duke rritur rrezikun për goditje të nxehtësisë. Kur trupi dështon të ftohet siç duhet, truri ngrohet më shumë, çka mund të çojë në konfuzion, humbje ndjenje dhe pasoja serioze shëndetësore.
Sinjalet alarmante për trupin përfshijnë:
- kontraktime muskujsh,
- skuqje të lëkurës,
- tharje ekstreme,
- ndjesi marramendjeje.
Në këtë fazë, këshillohet futja urgjente në një ambient të freskët ose të kondicionuar.
Veçanërisht të rrezikuar janë të moshuarit, fëmijët, personat obezë dhe ata që marrin medikamente të caktuara.
Metoda të thjeshta për t’u freskuar në kushte shtëpie
Një nga mënyrat më efektive për uljen e temperaturës së trupit është mbajtja e kyçeve të dorës nën ujë të ftohtë të rrjedhshëm për të paktën 30 sekonda secili. Kjo ul ndjeshëm temperaturën e gjakut që qarkullon më pas në trup, duke sjellë një ndjesi freskie që mund të zgjasë deri në një orë.
Mos harroni: hidrimi është jetik
Ekspertët theksojnë se hidrimi i vazhdueshëm është thelbësor gjatë gjithë ditës. Pini shumë ujë dhe konsumoni fruta të freskëta me përmbajtje të lartë uji si shalqi, pjepri, kastraveci apo pjeshka. Kjo ndihmon trupin të rregullojë temperaturën e brendshme dhe të përballojë më lehtë vapën përvëluese të verës.