Prishtina këtë fundjavë u bë epiqendra e një prej ngjarjeve më të komentuara të këtij viti, ku Teuta Rugova, vajza e ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, kurorëzoi dashurinë me partnerin e saj Agron Gjeloshi në një ceremoni madhështore.

Çifti e tha “po-në” në një ceremoni solemne në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, duke ndërthurur në mënyrë të harmonishme traditën shqiptare me elegancën bashkëkohore. Atmosfera ishte e mbushur me emocion, ku secili detaj reflektonte hijeshi dhe përkushtim.

Pas ceremonisë fetare, të ftuarit u zhvendosën në një ambient festiv në kryeqytet, ku u organizua pritja martesore. Hyrja e çiftit në sallë u shoqërua nga daullet tradicionale dhe duartrokitjet e zjarrta të të pranishmëve, duke i dhënë fillimin një feste plot gjallëri dhe ngrohtësi.

Teuta Rugova u shfaq e mrekullueshme me një fustan të bardhë prej dantelle, i punuar me elegancë, ndërsa Agron Gjeloshi mbante një kostum klasik të zi, duke reflektuar finesë dhe thjeshtësi aristokratike.
Në mesin e të ftuarve të njohur që morën pjesë në dasmën e Teuta Rugovës dhe Agron Gjeloshit këtë fundjavë në Prishtinë, një nga figurat që tërhoqi vëmendjen e publikut ishte Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, jo vetëm për praninë e saj, por edhe për ndryshimin e dukshëm në stilin personal.

E njohur për pamjen e saj karakteristike me flokë të errët dhe kacurrela, Presidentja këtë herë surprizoi me një look krejtësisht të ri. Ajo u shfaq me flokë të drejtë, të stiluara onde.



