Shqipëria, vend anëtar i NATO-s që prej vitit 2009, vazhdon të mbajë një qëndrim interesant — për të mos thënë absurd — ndaj sigurisë kombëtare: e ka çarmatosur veten me bindjen se, tani që është pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë, nuk ka më nevojë të mbrohet vetë. Tanke? Të hequra. Flotë detare? E shpërbërë. Kapacitete të mbrojtjes ajrore? Imagjinare. Ndërkohë, çdo vit në ndonjë cep të Ballkanit, shfaqemi për t’u ushtruar në ndonjë “simulim” ndërkombëtar, ku kombet e mëdha tregojnë muskujt — dhe ne, kartonët.
Në stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 25”, që zhvillohet këto ditë në tetë shtete të rajonit, Shqipëria arriti të paraqitet me 1 anije të flotës detare, 1 helikopterë Cougar. Madje, si për t’i dhënë edhe më shumë peshë skenarit, një gomone u përfshi për të kompletuar panoramën e “fuqisë detare” shqiptare.
Ndërkohë që Rusia e Vladimir Putinit pushton, kërcënon, riorganizon botën sipas hartave të epokës së Carëve, Shqipëria vendos të japë një sinjal të fortë: jemi këtu me një gomone dhe jemi gati të përballemi me Kremlinin! Me siguri, diku në Moskë, Putini ka parë pamjet nga Zall-Herri, ku dronët shqiptarë transmetonin me krenari një stërvitje me tri anije, dhe është tundur nga frika në karrigen e tij prej ari.
Stërvitja u zhvillua rreth 6 milje nga porti i Durrësit dhe simuloi një operacion kundër kërcënimeve hipotetike. Në të morën pjesë edhe dy anije të marinës amerikane, duke e bërë skenën disi më serioze në sy të kamerave. Por kur krahasohet përmasat e angazhimit shqiptar me ato të vendeve të tjera, ironia është e pamohueshme: Shqipëria përpiqet të tregojë se është “kyçe për arkitekturën e sigurisë rajonale” ndërsa mezi përfaqësohet në det me një flotë që duket më shumë si patrullë bregdetare turistike sesa një komponent i një force të ndërhyrjes së shpejtë.
“Kjo stërvitje përbën një demonstrim të qartë të bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe të rolit gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë rajonale,” tha me seriozitet Kundëradmirali Adnan Agastra. Dhe është e vërtetë: kur të gjithë të tjerët merren me mbrojtje reale, Shqipëria kujdeset që të jetë aty për çdo foto grupi dhe për ndonjë pamje me dron për rrjetet sociale të ushtrisë.
Në thelb, “Defender Europe 2025” është një stërvitje gjigante me 28 mijë trupa nga 39 vende, e udhëhequr nga SHBA, me objektiv të qartë: të tregojë forcën kolektive të NATO-s përballë kërcënimeve nga Lindja, veçanërisht në sfondin e tensioneve me Rusinë. Por prezenca shqiptare, e reduktuar në nivel simbolik, hedh dritë mbi një të vërtetë të pakëndshme: vendi ynë, pavarësisht flamujve dhe retorikës euroatlantike, ka shndërruar mbrojtjen kombëtare në një spektakël ceremonial.
Sepse po, jemi pjesë e NATO-s. Por jemi aty me shpresën se dikush tjetër do të bëjë mbrojtjen për ne.