FLASH :

Ushtria izraelite publikon valën e goditjeve në bazat e Iranit: Targeti ynë nuk janë shkollat dhe civilët

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit IDF kanë konfirmuar se kanë ndërmarrë një valë goditjesh precize ndaj objektivave kyçe ushtarake në Iran, duke përfshirë baza të mbrojtjes ajrore dhe objekte që lidhen me programin bërthamor të regjimit iranian.

“Nga objektet bërthamore te sistemet e mbrojtjes ajrore, kemi çmontuar disa nga asetet më të rrezikshme ushtarake të Iranit. Ja një përmbledhje e objektivave kyçe të goditura në të gjithë Iranin,” – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga ushtria izraelite.

Në një zhvillim paralel, autoritetet izraelite kanë bërë me dije se janë eliminuar 9 shkencëtarë dhe ekspertë të nivelit të lartë, të cilët kishin rol kritik në avancimin e programit të armëve bërthamore të Teheranit.

“Të gjithë shkencëtarët dhe ekspertët e eliminuar, bazuar në të dhëna të inteligjencës, ishin faktorë kyç në zhvillimin e armëve bërthamore iraniane. Eleminimi i tyre përbën një goditje të rëndësishme për aftësinë e regjimit për të siguruar armë të shkatërrimit në masë.”-thuhet në postim.

Izraeli nuk ka dhënë detaje mbi mënyrën apo vendndodhjen e sulmeve dhe as mbi identitetin e shkencëtarëve të vrarë, por analistët ushtarakë e konsiderojnë këtë operacion si një nga më të rëndësishmit në përpjekjet për të ndalur ambiciet bërthamore të Iranit.

Nga ana tjetër IDF ka shpërndarë një postim ku sipas tyre tregohet diferenca midis sulmeve nga ana e ushtrisë së Izraelit dhe Iranit. Sipas Izraelit targeti i sulmit të forcave të tyre janë bazat bërthamore kurse Irani ka target shkollat dhe civilët.