FLASH :

Ushtria e Kim Jong Un ka “përmirësuar ndjeshëm” aftësitë dhe tani përbën një kërcënim më të madh për Korenë e Jugut dhe trupat amerikane pas gjashtë muajve luftimesh në Ukrainë

Ushtria e Koresë së Veriut ka përmirësuar ndjeshëm kapacitetet e saj bërthamore dhe ato të luftës konvencionale, pas gjashtë muajve të përfshirjes në luftimet në Ukrainë, sipas një vlerësimi të inteligjencës të ndarë me gazetën The Times.

Vendi komunist ka përdorur konfliktin në Ukrainë si një terren testimi për të përmirësuar strategjitë e veta luftarake. Ekspertët besojnë se ushtria koreano-veriore tani përbën një kërcënim shumë më të madh për Korenë e Jugut dhe trupat amerikane të vendosura atje, pasi ka rritur saktësinë e raketave balistike, ka zhvilluar aftësi në luftën me dronë dhe ka përshpejtuar prodhimin e armëve moderne.

Aleanca ushtarake gjithëpërfshirëse mes Koresë së Veriut dhe Kremlinit është konsoliduar kur Kim Jong Un ofroi “mbështetje të pakushtëzuar” për Rusinë gjatë një vizite të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, fundjavën e kaluar.

Lavrov u pa duke përqafuar Kim-in dhe duke e falënderuar për dërgimin e trupave në luftën në Ukrainë.

Sipas vlerësimit të përgatitur nga drejtoria e inteligjencës ushtarake të Ukrainës (HUR), “bashkëpunimi me Rusinë i ka ofruar Koresë së Veriut mundësi të gjera për të modernizuar forcat e saj të armatosura”.

Në deklaratë thuhet se përfshirja e Phenianit në luftë i ka dhënë mundësinë të fitojë “përvojë reale në luftën moderne, të zhvillojë kapacitetet e raketave bërthamore, të krijojë prodhim të sistemeve të avancuara të armëve, të forcojë flotën detare dhe të përmirësojë aftësitë për mbledhjen e informacionit”.

Raporti thekson se bashkëpunimi me Rusinë “rrit ndjeshëm kërcënimin ndaj SHBA-së dhe aleatëve rajonalë të saj — Koresë së Jugut dhe Japonisë”.

Vlerësimi shton se “ka gjasa të larta” që Koreja e Veriut do të tregojë më shumë gatishmëri për të përdorur forcën ushtarake në politikën e saj të jashtme në të ardhmen.

Kjo lidhet me “mungesën e një përgjigjeje të fortë” nga SHBA dhe aleatët e saj ndaj vendimit të Phenianit për të dërguar trupa në Ukrainë.

Koreja e Veriut konfirmoi për herë të parë në prill se kishte trupa që luftonin krah rusëve në Ukrainë.

Sipas raportit, të paktën 9,500 ushtarë koreanoveriorë janë përdorur në sulme me stil “valë njerëzore” ndaj parashutistëve ukrainas në rajonin Kursk të Rusisë.

Pheniani do të dërgojë gjithashtu 1,000 sapatorë dhe 5,000 punëtorë ushtarakë për ndërtim për të ndihmuar në sigurimin e rajonit të Kurskut, pasi trupat ukrainase u tërhoqën — njoftoi muajin e kaluar sekretari i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, Sergei Shoigu.

Sipas inteligjencës ukrainase, rreth 4,000 trupa koreanoveriorë janë vrarë ose plagosur në konflikt.

HUR pret që rreth 30,000 trupa të tjerë koreanoveriorë të dislokohen në muajt në vijim.

Këto zhvillime ndodhën pasi ministri i Jashtëm rus Lavrov u pa duke përqafuar Kim Jong Un-in të shtunën në qytetin turistik të Wonsan-it, ku ai falënderoi diktatorin për ndihmën në luftën në Ukrainë. Lavrov inkurajoi gjithashtu rusët që të vizitojnë Korenë e Veriut për pushime.

Marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë janë forcuar ndjeshëm në vitet e fundit, me Kim-in që ka dërguar trupa dhe municione në vijën e frontit në Ukrainë në këmbim të ndihmës ekonomike dhe ushtarake nga Rusia.

Kjo ka shkaktuar shqetësim në Perëndim për mundësinë që Moska t’i transferojë Phenianit teknologji sensitive, duke rritur rrezikun që përfaqëson programi bërthamor i Koresë së Veriut.

Përveç takimit me Kim-in, Lavrov zhvilloi bisedime edhe me ministren e Jashtme të Koresë së Veriut, Choe Son Hui.

Gjatë takimit, Choe përsëriti mbështetjen e pakushtëzuar të Phenianit për luftën e Rusisë në Ukrainë, ndërsa Lavrov rikonfirmoi mirënjohjen e Rusisë për ndihmën që ofruan trupat koreanoveriorë në zmbrapsjen e një inkursioni ukrainas në Kursk.

Wonsan, vendtakimi i tyre, është vendi ku Pheniani ka hapur së fundmi një resort gjigand bregdetar, që sipas autoriteteve mund të strehojë rreth 20,000 njerëz.

Në deklaratën e tij, Lavrov tha: “Jam i bindur se turistët rusë do të duan gjithnjë e më shumë të vijnë këtu. Do të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë këtë, përfshirë edhe udhëtimet ajrore.”

Zona turistike Wonsan-Kalma është pjesë qendrore e përpjekjeve të Kim Jong Un për të zhvilluar turizmin si një mënyrë për të përmirësuar ekonominë e dobët të vendit.

Megjithatë, perspektivat për këtë kompleks turistik janë të pasigurta, pasi Koreja e Veriut nuk duket e gatshme të rihapë plotësisht kufijtë e saj dhe të mirëpresë turistët perëndimorë së shpejti.