FLASH :

Ushqimet që përshpejtojnë procesin e plakjes së lëkurës

Ekzistojnë dy shkaktarë kryesorë që përshpejtojnë procesin e plakjes së lëkurës sonë: ekspozimi në diell dhe produktet fundore të glikacionit të avancuar (AGE). AGE-të formohen kur proteinat ose yndyrat kombinohen me sheqerin. Ndërsa këta shkaktarë nuk janë 100% nën kontrollin tuaj, duke përdorur krem mbrojtës nga dielli dhe duke bërë disa ndryshime në dietën tuaj, mund ta ndihmoni trupin tuaj të mbrojë lëkurën nga procesi i plakjes.

Ushqimet e skuqura

Ushqimet  e skuqura në vaj dhe në temperatura të larta lëshojnë radikale të lira që mund të shkaktojnë dëmtime qelizore në lëkurë. Ekspozimi ndaj radikaleve të lira përshpejton procesin e plakjes duke ndikuar në molekulat e ADN-së dhe duke dobësuar elasticitetin e lëkurës. Zëvendësoni ushqimet e skuqura me ushqime të pjekura ose të ziera.

Karbohidratet e thjeshta

Ushqimet me indeks të lartë glicemik, siç është buka e bardhë, mund të shkaktojnë inflamacion në trup, i cili lidhet drejtpërdrejt me procesin e plakjes. Mundohuni të konsumoni karbohidrate komplekse, siç janë drithërat e plota, të cilat përmbajnë antioksidantë që janë të dobishëm për lëkurën.

Acidet yndyrore trans

Acidet yndyrore trans janë yndyrna të pangopura që rrjedhin nga vajrat bimore që janë përpunuar industrialisht (të hidrogjenizuara ose pjesërisht të hidrogjenizuara) për t’i bërë ato të ngurta ose më viskoze. Këto yndyrna e bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj rrezeve UV, të cilat mund të dëmtojnë kolagjenin dhe elasticitetin. Zëvendësoni gjalpin me vaj ulliri ose avokado, të cilat janë të pasura me antioksidantë.

Mishrat e përpunuar

Këto mishra janë të pasura me natrium, yndyrna të ngopura dhe sulfite, të cilat mund të dehidratojnë lëkurën dhe të dobësojnë kolagjenin, duke shkaktuar inflamacion.

Alkooli

Alkooli mund të shkaktojë shumë probleme kur bëhet fjalë për lëkurën, siç janë skuqja, ënjtja, humbja e kolagjenit dhe rrudhat. Gjithashtu mund të çojë në mungesë të vitaminës A, e cila luan një rol të rëndësishëm në rritjen e qelizave të reja dhe prodhimin e kolagjenit, duke siguruar elasticitetin e lëkurës.