Dy të rinj 17-vjeçarë në Kinë janë dënuar nga një gjykatë në Shangai me një gjobë prej 2.2 milionë juanësh (rreth 260 mijë euro), pasi urinuan në një tenxhere me supë në një restorant të njohur të zinxhirit Haidilao dhe publikuan videon në internet.
Ngjarja shkaktoi indinjatë publike dhe reagime të ashpra në rrjetet sociale. Edhe pse nuk pati prova se lëngu i ndotur është servirur për klientët, kompania kompensoi mbi 4,000 vizitorë, duke kthyer pagesat dhe dhënë dëmshpërblim dhjetëfish të faturave.
Fillimisht, Haidilao kërkoi 23 milionë juanë si dëmshpërblim, por gjykata vendosi një shumë më të ulët, duke e konsideruar kompensimin si vendim i brendshëm biznesi dhe jo një barrë që duhet t’i binte mbi të miturit dhe familjet e tyre.
Gjykata i cilësoi veprimet e adoleshentëve si “sjellje fyese dhe shqetësuese për publikun”, që dëmtoi rëndë imazhin e kompanisë. Prindërit u mbajtën ligjërisht përgjegjës për mungesën e mbikëqyrjes dhe u urdhëruan të paguajnë shumën e plotë të gjobës.
Nga totali i dëmshpërblimit:
- 2 milionë juanë i shkojnë Haidilao,
- 130,000 juanë një kompanie tjetër të përfshirë në pastrim,
- pjesa tjetër mbulon shpenzimet ligjore.
Rasti rikthen vëmendjen te sjellja e të miturve në rrjet dhe pasojat ligjore të akteve virale në internet.