Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka urdhëruar të gjithë kandidatët për deputetë të PD-së të shmangin deklaratat dhe debatet publike lidhur me kontratën 6 milionë dollarëshe të lobimit me kompaninë amerikane “Continental”, që ka për qëllim ndikimin në heqjen e shpalljes “non grata” në SHBA.
Në dokument zyrtar, vërehet firma e Flamur Nokës, sekretar i përgjithshëm i PD-së, si një nga përfaqësuesit që ka firmosur kontratën, duke i dhënë kështu më shumë peshë debatit politik. Megjithëse drejtuesit e PD-së kanë rënë në një “heshtje totale”, nuk kanë munguar zërat që kanë thyer këtë urdhër.
Deputeti Bujar Leskaj ka publikuar një shënim të gjatë në rrjetet sociale në orët e natës, jo për të kritikuar pagesën milionëshe apo për të kërkuar transparencë, por për të sulmuar qeverinë dhe për të devijuar vëmendjen nga skandali.
Në përfundim të shkrimit të tij ai shkruan:
“Kontrata me Continental Strategy është më shumë se një marrëveshje lobimi; ajo është një platformë strategjike për forcimin e demokracisë shqiptare, për afrimin më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe për ndërtimin e një Shqipërie të drejtë, demokratike dhe perëndimore.
Falë kësaj kontrate dhe mbështetjes së diasporës shqiptaro-amerikane, Partia Demokratike hyn në një fazë të re force dhe legjitimiteti në betejën e saj për të rikthyer demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.”
Mirëpo ai nuk është i vetmi që e ka thyer këtë urdhër. Gjithashtu kandidati për deputet, Belind Këlliçi, i ftuar në edicionin informativ të mesditës në Syri TV, ka komentuar kontratën e lobimit të PD-së. Këlliçi theksoi se lobimi është një praktikë ligjore dhe e zakonshme në SHBA dhe se pasi kontrata e nënshkruar me një nga avokatët më të njohur në SHBA, mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e pozicionit të opozitës në Shqipëri.
“Për të qenë korrekt, nuk ka kontraktuar PD lobistë. Është një lajm i jashtëzakonshëm, ky që në fakt është një lajm i mirëpritur nga komuniteti shqiptar-amerikan, por mbi të gjitha nga shqiptarët që presin rrëzimin e narkoshtetit më 11 maj, patriotët shqiptarë, komuniteti shqiptar-amerikan që punon prej vitesh në SHBA…” thotë ai.
Kjo situatë thellon më tej tensionet brenda PD-së, ndërsa çështja e lobimit dhe përfshirja direkte e drejtuesve të saj në kontrata me kompani lobuese amerikane mbetet një temë që ngjall jo pak dyshime dhe reagime.