Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) ka reaguar pas thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Të dielën e kaluar në Pallatin e Sportit në Kumanovë, vendasit e Maqedonisë së Veriut në basketboll pritën Rumaninë. Sfida u përfshi nga incidente nacionaliste, pasi një grupin i tifozëve të Maqedonisë së Veriut i quajtur “Kumani” brohoriti thirrje antishqiptare.
Për këtë, së fundmi ka reaguar edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ombrella e sportit shqiptar ka thënë se do e delegojë çështjen në të gjitha organizmat Olimpikë Ndërkombëtarë, për t’u marrë masa që incidente të tilla me karakter etnik mos ndodhin më.
“Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka ndjekur me shqetësim episodet e shëmtuara që ndodhën gjatë ndeshjes kualifikuese për FIBA Ëorld Cup, mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në qytetin e Kumanovës, ku u dëgjuan thirrje me përmbajtje raciste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dënon me forcë këto episode të rënda, që prishin imazhin e vendeve, dëmtojnë fqinjësinë e mirë dhe prekin parimet themelore të kartës olimpike.
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar do të denoncojë ngjarjen në të gjitha Organizmat Olimpikë Ndërkombëtare, duke kërkuar marrjen e masave të forta ndaj çdo veprimi që prish barazinë dhe respektin në sport.
KOKSH ngre me forcë zërin për lartësimin e vlerave të olimpizmit: përsosmërisë, miqësisë dhe respektit, vlera këto nuk kanë të bëjnë vetëm me sportin; ato synojnë të zbatohen në të gjitha aspektet e jetës”, thuhet në reagimin e KOKSH.
Pas ngritjes së zërit nga institucionet shqiptare, një hetim është hapur për këtë incident në vendin fqinj, teksa edhe FIBA (federata ndërkombëtare e basketbollit) pritet të marrë masa në një hetim të pavarur.
Për më tepër, në Sallën Sportive të Kumanovës kanë qenë disa nga figurat më të larta të vendit fqinj, përfshi kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Punëve të Jashtme Panco Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkovic.
THIRRJET – “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, thërrisnin një pjesë e tifozëve në tribunë.
Thirrjet dhe refrenet u dëgjuan gjatë gjithë ndeshjes. “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, ishte një tjetër thirrje që brohoritej nga tifozët si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, duke iu referuar asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore ndaj hebrenjve.