Në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës që po zhvillohet në Romë, kryeministri ukrainas Denis Shmyhal deklaroi se rindërtimi i vendit pas luftës do të kushtojë rreth 850 miliardë euro dhe do të zgjasë afërsisht 14 vjet. Në këtë kuadër, u propozua krijimi i dy fondeve: një që do të menaxhohet nga Ukraina dhe do të financohet përmes aseteve ruse të ngrira jashtë vendit, me një vlerë mbi 460 miliardë euro, dhe një tjetër që do të mbështetet nga investime private. Paratë do të përqendrohen në rindërtimin e rrjeteve të energjisë, impianteve industriale dhe infrastrukturës digjitale.
Kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se Rusia duhet të mbulojë dëmet që ka shkaktuar. “Rusia duhet të paguajë për këtë dëm dhe derisa ta bëjë, nuk do të ketë qasje në asetet e saj të ngrira”, deklaroi Merz. Ndërkohë, Gjermania ka njoftuar se do të blejë nga SHBA sisteme për mbrojtjen ajrore të tipit “Patriot” për t’ia dorëzuar Ukrainës, me dy sisteme të financuara nga Berlini dhe një tjetër të premtuar nga Norvegjia.
Në konferencë marrin pjesë përfaqësues nga mbi 60 vende, organizata ndërkombëtare dhe kompani private, ndërsa drejtuesit kryesorë evropianë, përfshirë Ursula von der Leyen, Giorgia Melonin dhe Donald Tuskun, i dhanë mbështetje të plotë planit të rindërtimit dhe kërkesës që Rusia të mbajë përgjegjësi financiare për agresionin.



