FLASH :

Ukraina mban frymën në pritje të përgjigjes të Putinit, pas sulmit që dridhi Moskën

Presidenti Vladimir Putin është zhdukur nga sytë e publikut, ndërsa ushtria e tij u poshtërua nga një prej goditjeve më të forta të luftës: Ukraina, me një operacion të koduar “Rrjeta e Merimangës”, ka shkatërruar mbi 40 avionë strategjikë rusë, përfshirë bombardues bërthamorë dhe radarë ajrorë A-50.

Ky operacion i planifikuar prej 18 muajsh, u krye me 117 drone kamikazë FPV të fshehura në kamionë civilë dhe u aktivizuan në pesë baza ajrore ruse nga Siberia deri në Murmansk. Më shumë se 1.5 miliardë paund dëme, sipas Kievit – dhe një humbje e pallogaritshme për fuqinë ajrore të Moskës.

Në shënjestër ishin bombarduesit Tu-95 dhe Tu-22M, të pazëvendësueshëm për Rusinë dhe kritikë në sulmet e përnatshme ndaj Ukrainës. Mes objektivave ishte dhe një avion A-50 “Mainstay”, që shërben si qendër komande dhe radar ajror – një armë që Rusia ka vetëm një duzinë.

Operacioni u krye me ndihmën e agjentëve ukrainas në territorin rus, të cilët, sipas Zelenskyt, u pozicionuan pikërisht pranë një selie të FSB-së në Chelyabinsk. “Një ndër operacionet më të gjatë dhe më të suksesshëm të historisë sonë moderne”, tha presidenti ukrainas, duke e cilësuar këtë ditë si historike.

Në Moskë, reagimi ishte konfuz dhe i ashpër: kanalet propagandistike e krahasuan me “Pearl Harbour-in e Rusisë”, ndërsa Putin urdhëroi nisjen e një fushate hakmarrëse. Sipas burimeve ruse, janë nisur sulme me 472 drone dhe raketa në drejtim të Ukrainës, ndërsa Moska pretendon se ka rrëzuar 162 drone ukrainase.

Gjithashtu, autoritetet ruse nisën arrestimin e shoferëve që pa dijeni transportuan dronët ukrainas drejt bazave ushtarake. Ndërkohë, komandantë të FSB-së dhe zyrtarë ushtarakë pritet të përballen me pasoja për “turpërimin historik”.

Paralele me Luftën e Dytë Botërore nuk mungojnë. Ish-analistë ushtarakë e krahasuan këtë operacion me inkursionet e forcave speciale britanike në Afrikën e Veriut. “Një akt i pastër gjenialiteti taktik”, e quajti një ish-pilot i RAF-it për BBC.

Por kjo ngjarje ka ngritur alarmin edhe në Perëndim. Shefi i ushtrisë gjermane, gjenerali Carsten Breuer, deklaroi se Rusia po përgatit 1,500 tanke të reja çdo vit dhe po grumbullon armatime në shkallë të paprecedentë, duke paralajmëruar se vendet baltike të NATO-s janë “veçanërisht të ekspozuara”. Ai shtoi: “Duhet të jemi gati të luftojmë sot”.

Në të njëjtën kohë, në Stamboll nisën raunde të reja bisedimesh paqeje, ku Ukraina ka propozuar një armëpushim 30-ditor dhe kthimin e të gjithë të burgosurve dhe fëmijëve të rrëmbyer nga Rusia. Por Moska ka refuzuar deri tani një ndërprerje të përkohshme të luftimeve.