FLASH :

Ukraina godet nga deti dhe ajri: Tre armë, një avion i rrëzuar!

Për herë të parë në histori, një dron detar ukrainas ka rrëzuar një avion luftarak rus në një incident që shënon një kthesë të rëndësishme në mënyrën se si zhvillohet lufta moderne. Ngjarja ndodhi rreth 50 kilometra larg nga Novorossiysk, një bazë ushtarake dhe terminal nafte rus në lindje të Krimesë.

Sipas burimeve fillestare jozyrtare ruse, por të besueshme si blogeri ushtarak Rybar — i njohur për kontaktet e tij me Kremlinin — një avion Sukhoi 30 është shkatërruar nga një raketë R-73 e lëshuar nga një dron detar ukrainas i tipit Magura V5. Piloti dhe navigatori i avionit arritën të shpëtonin me parashutë dhe janë gjallë.

Ngjarja është konfirmuar edhe nga inteligjenca ukrainase, e cila publikoi një video të përplasjes. Ky është sulmi i parë i dokumentuar ku përdoren në mënyrë të sinkronizuar tre lloje armësh: dronë fluturues, dronë detarë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi, duke e bërë mbrojtjen ruse thuajse të pamundur.

Mendohet se avionët rusë u ngritën nga baza në Krime për të ndalur sulmin, por një nga to — Sukhoi 30, një avion shumë i manovrueshëm dhe i shpejtë (mbi 2.000 km/h) — u qëllua nga një raketë që zakonisht përdoret për beteja ajër-ajër, por që ukrainasit e kanë përshtatur për mbrojtje kundërajrore në platforma detare.

Kjo nuk është hera e parë që Magura V5 rrëzon mjete ajrore: më herët, ky dron ka shkatërruar edhe dy helikopterë rusë Mi-8. Por goditja e një avioni Sukhoi 30 është një precedent i ri teknik dhe ushtarak.

Deri në fund të vitit 2022, këto dronë detarë ishin ende në fazën eksperimentale. Sot, falë ndihmës teknike britanike dhe financimit amerikan, ata kanë shndërruar detin në një fushëbetejë robotike, ku anijet pa ekuipazh mund të lëshojnë sulme komplekse nga distanca të mëdha.

Ky sulm pritet të tronditë strategjinë ushtarake të Rusisë në Detin e Zi dhe të riformulojë konceptin e flotës moderne.