Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë analizuar okupimin izraelit të Bregut Perëndimor, si një model të mundshëm për përfundimin e luftës në Ukrainë, mëson e përditshmja britanike Times.
Sipas këtij skenari, Rusia do të kishte kontroll ushtarak dhe ekonomik mbi pjesët e pushtuara të Ukrainës (Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia, Kherson, Krime) përmes një organi të vetëqeverisjes, duke imituar kontrollin ‘de facto’ të Izraelit mbi territoret palestineze të pushtuara nga Jordania në vitin 1967.
Një burim pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së pohon se ideja është përmendur për herë të parë disa javë më parë, gjatë bisedimeve midis Steve Witkoff, i dërguar i presidentit amerikan, Donald Trump dhe zyrtarëve rusë. Kufijtë e Ukrainës formalisht do të mbeteshin të pandryshuar.
Witkoff, i cili ka mandat edhe për ndërmjetësim në Lindjen e Mesme, raportohet se e mbështet këtë propozim dhe pala amerikane e sheh si një mënyrë për të anashkaluar dispozitën e kushtetutës së Ukrainës që ndalon dorëzimin e territorit pa një referendum “mbarëkombëtar”, transmeton Telegrafi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky refuzon edhe vetë idenë e dorëzimit të territorit, por përkrahësit e modelit të okupimit besojnë se kjo mund të jetë një mënyrë për të arritur një armëpushim pas tre vjetësh e gjysmë lufte.
Në këtë rast, kufijtë zyrtarë të Ukrainës do të mbeteshin të pandryshuar, ashtu siç kufijtë formalë të Bregut Perëndimor nuk janë ndryshuar për 58 vjet, ndonëse ai është nën kontrollin izraelit.
Një burim i afërt me negociatat deklaroi se “do të jetë njësoj si Izraeli që mban të pushtuar Bregun Perëndimor – me një guvernator, me një ekonomi të lidhur me Rusinë dhe jo me Ukrainën.
Por, zyrtarisht, do të mbetet Ukrainë, sepse Ukraina kurrë nuk do të heqë dorë nga sovraniteti i saj. Por në realitet, do të jetë një territor i pushtuar, dhe modeli është Palestina”.
Precedentë ndërkombëtarë dhe kritika
Okupimi i Bregut Perëndimor është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, të cilën SHBA-të nuk e njohin, ndërsa Rusia e njeh pjesërisht.
Në mars të vitit 2022, e njëjta gjykatë urdhëroi Rusinë që “të ndalojë menjëherë operacionet ushtarake” në Ukrainë, por ky vendim nuk është zbatuar sepse gjykata nuk ka mekanizëm për ta detyruar zbatimin.
OKB-ja, në shtator të vitit të kaluar, me shumicë votash (124 pro dhe 14 kundër), miratoi një rezolutë ku i kërkon Izraelit të tërheqë ushtrinë, të ndalojë ndërtimin e vendbanimeve të reja, të evakuojë kolonët dhe të heqë pjesë të murit të sigurisë brenda territorit të pushtuar të Bregut Perëndimor.
Izraeli dhe SHBA votuan kundër, ndërsa abstenoi Britania e Madhe.
Qasja amerikane: të njihet “realiteti në terren”
Disa negociues amerikanë mendojnë se një zgjidhje e tillë për territoret e pushtuara të Ukrainës pasqyron thjesht realitetin e luftës dhe mungesën e gatishmërisë së shteteve të tjera për t’u përfshirë ushtarakisht.
Sipas tyre, e vetmja gjë që mbetet është të përcaktohen kufijtë e okupimit rus – të cilët Putini përpiqet t’i zgjerojë sa më shumë para samitit me Trumpin në Alaskë.
Ky qëndrim përputhet me deklaratat e Sebastian Gorkas, ish-drejtor i lartë i Trumpit për kundërterrorizmin, i cili në muajin maj, për Politico, tha se “ne e njohim realitetin në terren”.
“Prioriteti ynë mbi gjithçka tjetër – qoftë në Lindjen e Mesme apo në Ukrainë – është ndalimi i gjakderdhjes. Gjithçka tjetër vjen më pas”, shtoi ai.
Paralelja me Bregun Perëndimor
Ushtria izraelite pushtoi Bregun Perëndimor gjatë Luftës Gjashtëditore në vitin 1967, duke vendosur miliona palestinezë nën kontrollin izraelit.
Edhe pse Autoriteti Palestinez që nga vitet 1990 administron shumicën e qyteteve dhe fshatrave, Izraeli ruan kontrollin e përgjithshëm mbi territorin, kryen patrullime ushtarake dhe mban pika kontrolli, ndërsa palestinezët kanë nevojë për leje për të udhëtuar drejt Gazës apo Jeruzalemit Lindor.
Okupimi kritikohet gjerësisht për ndërtimin e qindra vendbanimeve të paligjshme dhe për vendosjen e një sistemi juridik të dyfishtë – qytetarët izraelitë në atë zonë i nënshtrohen ligjeve izraelite dhe kanë të drejtë vote, ndërsa palestinezët i nënshtrohen ligjit ushtarak dhe nuk kanë të drejtë vote në zgjedhjet izraelite.