Pak ditë më parë, mediat britanike shpërndanë lajme se Dua Lipa kishte pushuar nga puna menaxherin e saj, David Levy, për shkak të qëndrimeve të tij pro-Izrael dhe kundërshtimit të artistëve pro-Palestinë në industrinë e muzikës. Historia u përhap me shpejtësi, madje edhe grupi Kneecap e ndau publikisht, duke i dhënë lajmit më shumë zë.
Por tani, këngëtarja dhe agjencia e saj WME e kanë mohuar kategorikisht këtë pretendim. WME thekson se Levy nuk është përfshirë në punët e përditshme të Duas që nga viti 2019 dhe që atëherë është tërhequr plotësisht nga projektet e saj.
“Raportimet se Dua Lipa ose menaxhimi i saj pushuan një agjent për shkak të pikëpamjeve të tij politike janë krejtësisht të pavërteta,” thuhet në deklaratën e tyre.
Dua Lipa reagoi ashpër edhe në Instagram:
“Nuk i mbështes veprimet e David Levy-t apo të drejtuesve të tjerë të industrisë ndaj një artisti që thotë të vërtetën e tij. Gjithashtu, nuk mund të injoroj mënyrën se si kjo histori u trajtua nga mediat. Jo vetëm që lajmi ishte krejtësisht i rremë, por gjuha e përdorur nga Daily Mail ishte qëllimisht provokuese, e shkruar thjesht për klikime dhe dukshëm e dizajnuar për të ndezur përçarje online. Gjithmonë Free Palestine, por të shfrytëzosh një tragjedi globale për të shitur gazeta është diçka thellësisht shqetësuese.”
