Autoritetet italiane kanë vënë nën hetim një 40-vjeçar, fqinj i viktimës, për vrasjen me dashje të Fatos Cenajt, një pensionist shqiptar që jetonte në Fontaniva, në provincën e Padovës.
Cenaj, ish-gardian burgu në Shqipëri, u qëllua në kokë mëngjesin e 8 qershorit dhe ndërroi jetë tri ditë më vonë në spital. Hetimet kanë zbuluar se fqinji italian, me të cilin Cenaj kishte pasur debate të shpeshta për çështje pronësie dhe kamera sigurie, është autori i dyshuar i vrasjes makabre.
Sipas prokurorisë, ai kishte planifikuar me detaje çdo hap, që nga zgjedhja e mjetit për të shkuar në vendin e ngjarjes, një biçikletë, deri te veshja që përdori ditën e krimit.
Mëngjesin e 8 qershorit, Cenaj po ecte përgjatë rrugës së zakonshme për në fermën ku punonte, kur fqinji i tij e priti në një cep të rrugës dhe e qëlloi në kokë me një plumb. Ai ishte i informuar për lëvizjet dhe oraret e Cenajt dhe kishte përgatitur çdo gjë për të mos lënë gjurmë.
Pas të shtënës, autori i dyshuar pastroi skenën e krimit, mblodhi gëzhojat dhe u largua pa lënë dyshime fillestare. Por hetuesit nuk e përjashtuan pistën e konflikteve mes fqinjëve dhe përmes kamerave të zonës dhe dëshmive të mbledhura, kanë arritur në këtë pistë kryesore.
Fillimisht u përfol se vrasja mund të kishte lidhje me të kaluarën e Cenajt si gardian burgu në Shqipëri, por prokuroria italiane ka përjashtuar këtë pistë, duke e konsideruar një krim që lidhet vetëm me konfliktet e pronësisë mes fqinjëve.