FLASH :

U pezullua pas komenteve për vdekjen e Charlie Kirk, Disney njofton rikthimin e emisionit të Jimmy Kimmel

Pas një ndërprerjeje të papritur javën e kaluar, emisioni i komedianit të njohur Jimmy Kimmel do të rikthehet të martën, ka njoftuar zyrtarisht kompania Disney, në pronësi të së cilës është televizioni ABC.

Kjo pauzë erdhi pas reagimeve të ashpra nga qarqet konservatore për komentet e Kimmelit lidhur me vrasjen e aktivistit të djathtë, Charlie Kirk. Në një nga episodet e “Jimmy Kimmel Live”, moderatori u shpreh se “shumë njerëz në botën MAGA po përpiqen të përfitojnë nga kjo ngjarje tragjike”.

ABC ndërpreu prodhimin pas paralajmërimit nga kompania Nextar Communications, e cila operon 23 stacione të lidhura me ABC, se do të ndalte transmetimin e emisionit. Presidenti i divizionit të transmetimeve në Nextar, Andrew Alford, e cilësoi deklaratën e Kimmelit si “fyese dhe të pandjeshme”.

Disney në reagimin e saj tha se vendimi për të pezulluar përkohësisht programin u mor “për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të një situate të tensionuar”, duke shtuar se rikthimi vjen pas “bisedave të kujdesshme” me Kimmelin.

Rikthimi i emisionit vjen vetëm pak orë pasi mbi 100 figura të njohura të Hollivudit nënshkruan një letër në mbështetje të Kimmelit. Jennifer Aniston, Meryl Streep dhe Robert De Niro ishin mes tyre, duke e quajtur pezullimin “një moment të errët për lirinë e fjalës në vend”.