I përfshirë më parë në një plagosje në Shijak në vitin 2017, një 29-vjeçar ka ndërruar jetë në spital pasi u qëllua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr. 18 të Durrësit, e njohur ndryshe si zona e Spitallës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:50. Viktima, i identifikuar si shtetasi E. D., nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.
Menjëherë pas raportimit të ngjarjes, në vendin e krimit kanë mbërritur forcat e Policisë së Durrësit, të cilat kanë nisur kontrolle intensive për kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.
Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor që po punon për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe sigurimin e provave që do të çojnë në identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.
Lagjja ku ndodhi ngjarja, e cila ndodhet në periferi të qytetit dhe karakterizohet nga mungesa e ndriçimit publik, konsiderohet një zonë me vështirësi për identifikimin e autorëve, duke e komplikuar më tej hetimin.
Hetimet vijojnë.
Momenti i atentatit – Në videon e siguruar nga kamerat e sigurisë, shihet momenti kur autorët afrohen dhe e qëllojnë viktimën menjëherë sapo ai del nga makina, në derën e shtëpisë së tij. Pas të shtënave, dëgjohet një zë që thotë: “Hajde këtej nga unë”, çka duket si një komunikim mes autorëve për t’u larguar me shpejtësi nga vendngjarja.







