Autoritetet turke janë në alarm pas zhdukjes së biznesmenit të njohur Halit Yukay, i cili është shpallur i humbur që nga mbrëmja e së shtunës, kur u nis me jahtin e tij nga Turqia me destinacion ishullin grek të Mykonosit.
Jahti i 43-vjeçarit turk u gjet i dëmtuar rëndë dhe gjysmë i mbytur nga roja bregdetare turke, në ujërat pranë ishullit Prokonnisos në Detin e Marmaras.
Familjarët e Yukay dhanë alarmin pasi humbën kontaktet me të menjëherë pas nisjes së tij. Roja bregdetare u njoftua zyrtarisht në orën 23:40 të së hënës, ndërsa të martën në orën 14:30, një anije tregtare njoftoi autoritetet se kishte gjetur mbetje të një mjeti lundrues. Më vonë u konfirmua se bëhej fjalë për jahtin “Grayëolf” të biznesmenit turk.
Për kërkimin e tij u angazhuan zhytës profesionistë, një helikopter dhe mjete lundruese të rojes bregdetare, por deri më tani nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë e tij.
Halit Yukay, i lindur në vitin 1982, është themeluesi dhe pronari i kompanisë turke Mazu Yachts, e cila merret me prodhimin e jahteve luksoze. Ai e nisi karrierën e tij si punëtor në kantierë detare dhe e realizoi ëndrrën për të krijuar kompaninë e tij në vitin 2011.
Kompania Mazu Yachts është e njohur në Turqi për dizajnet moderne dhe teknologjitë e avancuara që përdor në ndërtimin e jahteve.
Hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe kërkimet për gjetjen e Yukay vijojnë intensivisht.