FLASH :

U mbyt në lumë në Greqi, 12-vjeçari shqiptar do të varroset në atdhe – Babait i jepet leje për të marrë pjesë në funeral

Një tragjedi e rëndë ka prekur komunitetin shqiptar në Greqi. Kleoni, një 12-vjeçar shqiptar dhe shoku i tij humbën jetën tragjikisht disa ditë më parë duke u mbytur në lumin Arahtho, në Artë të Greqisë. Ngjarja ndodhi pavarësisht përpjekjeve heroike të emigrantit shqiptar Ledian Goga, i cili i nxori nga uji, por dy të miturit nuk mundën të mbijetonin.

Pas kësaj ngjarjeje të dhimbshme, familja e Kleonit ka vendosur që djali i tyre të prehet në Shqipëri. Lajmi u shoqërua edhe me një vendim humanitar të autoriteteve greke, të cilat i dhanë leje të posaçme babait të të ndjerit për të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe më pas të kthehet në Greqi. Ministri grek i Imigracionit, Makis Voridis, deklaroi se leja është dhënë për arsye humanitare dhe se ekziston një kuadër institucional për raste të tilla.

Në një akt të rrallë humanizmi, prindërit e dy adoleshentëve kanë vendosur të dhurojnë organet e fëmijëve të tyre. Veshka dhe pankreasi i Kleonit do të transplantohen në Patra, duke shpëtuar jetën e një burri 40-vjeçar nga Peloponezi perëndimor.

Një ngjarje që lë pas një dhimbje të thellë, por edhe një mesazh të fuqishëm humaniteti.