FLASH :

U lejuan të lëviznin 410 bagëti në kundërshtim me urdhrin e Ministrisë, procedohen penalisht katër veterinerë

Katër veterinerë në Korçë dhe Sarandë po përballen me hetim penal për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi kanë lejuar në mënyrë të paligjshme transportimin e 410 bagëtive të imta nga Konispoli drejt fshatit Barmash.

Sipas Policisë, veterinerët A. Sh., 58 vjeç, D. L., 53 vjeç, M. N., 53 vjeçe dhe S. I., 57 vjeç, kanë shkelur urdhrin e Ministrisë së Bujqësisë për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve, duke mos marrë masat përkatëse për ta zbatuar. Bagëtitë janë konstatuar në një automjet gjatë kontrolleve në fshatin Barmash. Materialet janë referuar në Prokurori dhe hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rastit.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intesifikuar kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.      

Si rezultat i kontrolleve të shtuara për zbatimin e urdhrit të ministrit të Bujqësisë, për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së bagëtive të imta, është evidentuar një rast i transportimit të bagëtive të imëta, në kundërshtim me këtë urdhër.     

Procedohen penalisht për shpërdorim detyre, 4 veterinerë, përgjegjës për zbatimin e këtij urdhri. 

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në fshatin Barmash, Ersekë, një automjet me të cilin po transportoheshin nga Konispoli, 410 bagëti të imëta.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasit A. Sh., 58 vjeç, D. L., 53 vjeç, M. N., 53 vjeçe, dhe S. I., 57 vjeç, banues në Sarandë dhe në Korçë, veterinerë në institucionet vendore në Korçë dhe në Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë marrë masa për zbatimin e urdhrit nr. 575, datë 09.06.2025, të ministrit të Bujqësisë “Për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të gjalla të llojit dhen dhe dhi, në territorin e Republikës së Shqipërisë”.  Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasit E. Q., 43 vjeç, D. M., 33 vjeç dhe A. G., 56 vjeç, banues në Durrës, Tiranë dhe Korçë, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.  Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.