Autoritetet e Venecias ndaluan një çift britanik pasi u kapën duke notuar në Kanalin e Madh, një veprim që ndalohet rreptësisht për shkak të rreziqeve për sigurinë.
Çifti, një burrë 35-vjeçar dhe partnerja e tij rumune 25-vjeçare që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, u panë duke u larë në kanalin ikonik të Venecias nga gondolierët, të cilët menjëherë raportuan rastin tek policia. Ata u gjobitën me nga 390 paund dhe u urdhërua të largohen nga Venecia për 48 orë, sipas mediave italiane.
Notimi në 150 kanalet e Venecias është i ndaluar për shkak të rreziqeve që krijojnë gondolat dhe motorët që kalojnë nëpër ujë. Këshilltarja për sigurinë, Elisabetta Pesce, falënderoi gondolierët për veprimin e tyre të shpejtë dhe theksoi rëndësinë e respektimit të rregullave të qytetit.
Ky incident ka ngjallur zemërim mes banorëve lokalë dhe grupit aktivist “Venecia nuk është Disneyland”, të cilët kërkojnë gjoba më të rënda dhe ndalime të përhershme për ata që shkelin rregullat. Shumë banorë kritikuan gjobat si të buta dhe disa kërkuan dënime me burg deri në pagimin e gjobave.
Venecia ka një histori incidentesh të ngjashme me turistë të pakujdesshëm, përfshirë kërcime të rrezikshme në kanale dhe not në publik. Autoritetet thonë se po ashpërsojnë masat për të ndaluar këto veprime, duke dhënë mbi mijëra urdhra dëbimi që nga fillimi i vitit.
“Të mbrosh Venecian do të thotë të mbrosh dinjitetin e një qyteti unik në botë dhe të sigurosh rregullin për banorët dhe vizitorët,” tha këshilltarja Pesce.