Një raport i ri i Akademisë Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë, mbi luftën 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit, u bën thirrje autoriteteve turke të ndërmarrin reforma urgjente të sigurisë, nga forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe paralajmërimit të hershëm, deri te ndërtimi i strehimeve dhe mbrojtja nga spiunazhi në industrinë e mbrojtjes.
Dokumenti paralajmëron se Izraeli ka shfrytëzuar Republikën e Qipros si aset strategjik dhe se interesi i tij në Qipron Veriore nuk lidhet vetëm me motive ekonomike. Po ashtu, përmendet rreziku i përdorimit të teknologjive globale si WhatsApp nga kompani që kanë lidhje të ngushta me Izraelin, duke kërkuar kufizimin e tyre në institucionet strategjike.
Raporti thekson nevojën për modernizimin e flotës ajrore turke, forcimin e mbrojtjes kundër raketave balistike e hipersonike dhe krijimin e sistemeve të shumëfishta të mbrojtjes ajrore. Ai paralajmëron gjithashtu për pasojat e mundshme të një konflikti të zgjatur Izrael–Iran, që mund të sjellë destabilitet përgjatë kufijve lindorë të Turqisë dhe të përfshijë edhe Teheranin si kërcënim të drejtpërdrejtë për Ankaranë.
Autorët kërkojnë thellimin e aleancave të Turqisë me vendet e rajonit si Pakistani, Siria, Katari dhe Azerbajxhani, si dhe forcimin e lidhjeve me NATO-n, duke e konsideruar sigurinë kombëtare një kombinim të forcës ushtarake me qëndrueshmërinë politike, ekonomike dhe teknologjike.