Importet e produkteve ushqimore në Shqipëri janë rritur me rreth 4.5% në pesëmujorin e parë të vitit 2025, duke reflektuar ndikimin e fuqishëm të turizmit në ekonominë vendëse. Vlera e ushqimeve të importuara arriti në 62.4 miliardë lekë, ndërsa rritja më e madhe u regjistrua te drithërat me 15%, ndjekur nga frutat dhe arrat me afro 6%.
Pavarësisht mundësive të prodhimit vendas, mungesa e përpunimit industrial dhe struktura e fragmentuar e bujqësisë po e rrit varësinë nga importet, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Vetëm në vitin 2024, vlera e importeve të ushqimeve, pijeve dhe duhanit arriti në 156 miliardë lekë, me një rritje prej 41.5% krahasuar me vitin 2019. Kjo prirje tregon se rritja e turizmit po e shtyn gjithnjë e më shumë ekonominë drejt një bilanci negativ tregtar, ku rreth 1.5 miliardë euro në vit dalin jashtë vendit për të përmbushur kërkesën në rritje.