FLASH :

Turizmi në rritje, infrastruktura në kolaps: Shqipëria rrezikon të kthejë bekimin në barrë

Shqipëria po përjeton një bum turistik si asnjëherë më parë, por infrastruktura po kthehet në kërcënimin kryesor që rrezikon ta zbehë këtë sukses. Fundjava pas fundjave, qytetarët dhe turistët përballen me trafik të paralizuar, rrugë të mbingarkuara dhe transport publik të mjerueshëm, që e bëjnë çdo udhëtim në bregdet një sprovë nervash.

Nga Golemi në Plepa, nga Shëngjini në Velipojë, kthimi drejt Tiranës kërkon orë të tëra pritjeje, ndërsa turistët që nisen drejt Aeroportit të Rinasit shpesh rrezikojnë të humbasin avionin. Në forume dhe rrjete sociale, ankesat për rrugët dytësore të shkatërruara, mungesën e sinjalistikës, stacionet e paqarta dhe autobusët e tejmbushur pa kondicioner janë bërë të përditshme.

E gjitha kjo ndodh në një kohë kur Shqipëria po pozicionohet si një destinacion mesdhetar alternativ, me çmime më të ulëta se Kroacia, Greqia apo Spanja. Vetëm në vitin 2024 u regjistruan 11.7 milionë hyrje të turistëve të huaj, ndërsa për këtë vit pritet një rritje me të paktën 10%.

Turizmi po bëhet një shtyllë e ekonomisë, që nxit qarkullimin e parasë, konsumimin e shërbimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Vetëm në tremujorin e parë të vitit, turistët kanë shpenzuar 874 milionë euro, një rekord që tregon fuqinë e këtij sektori.

Por ky potencial po përplaset me realitetin e rrugëve të vjetra dhe keqmenaxhimit urban. Edhe pse janë investuar 800 milionë euro për rrugë vetëm në dy vitet e fundit, kryesisht në Jug, nyjet kryesore të trafikut mbeten të pazgjidhura. Në shumë zona rurale rrjetet rrugore janë nën çdo standard, ndërsa transporti hekurudhor është praktikisht jashtë funksionit.

OECD në raportin e saj e renditi Shqipërinë të fundit për infrastrukturën mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo nuk është më çështje komoditeti – është një test i madh për aftësinë e shtetit shqiptar për të menaxhuar zhvillimin. Pa një plan të qartë kombëtar për infrastrukturën dhe transportin publik, Shqipëria rrezikon të shndërrojë turizmin nga bekim ekonomik në barrë logistike.

Rrugët që duhet të ishin korridore zhvillimi, sot po bëhen pengesa që rrezikojnë të shkatërrojnë përvojën turistike dhe imazhin e vendit. Dhe në një treg global ku reputacioni i një destinacioni vlen sa fjalët e një vizitori të zhgënjyer, kjo është një rrezik që vendi nuk mund ta përballojë.