Një blogere ruse ka treguar përvojën e saj nga vizita në resortin e ri bregdetar të Koresë së Veriut, Wonsan Kalma, i hapur në qershor në rajonin Kangwon, përgjatë një vije bregdetare prej 4 km me rërë të bardhë. Destinacioni, i projektuar për tërheqje turistike dhe i përshkruar nga mediat shtetërore si “një qytet me vlerë thesari kombëtar”, mund të presë deri në 20,000 vizitorë dhe ka mbi 40 hotele, shtëpi pushimi dhe objekte argëtimi.
Daria Zubkova, e vetmja vizitore e huaj jo-ruse e lejuar pasi vendi ndaloi hyrjen e turistëve nga shtete të tjera, tha se gjatë gjithë kohës ishte e shoqëruar nga stafi lokal, edhe në plazh, por kjo iu paraqit si “kujdes i ëmbël” për të mos humbur rrugën. Megjithatë, ajo tregoi se kishte lëvizur vetëm gjatë natës pa asnjë problem. Blogerja u shpreh e impresionuar nga infrastruktura, hotelet e dekoruara mirë, shatërvanët dhe gatimet e ndryshme me mish, peshk, rosë dhe lepur që i servirnin në restorante.
Vendimi për ndalimin e turistëve të huaj u mor vetëm pak ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov më 12 korrik, i cili u prit nga lideri Kim Jong Un dhe u cilësua si “i pari mysafir i huaj” i resortit. Aktualisht, Rusia mbetet i vetmi vend me hyrje të lejuar, ndërsa agjencitë turistike ruse kanë planifikuar ture të tjera për muajin gusht.

