FLASH :

Turistja amerikane kap për flokësh hajduten 14-vjeçare në Venecia: “S’ke për t’ia hedhur!”

Një video është bërë virale në rrjetet sociale ku një turiste amerikane e zemëruar kap për flokësh një vajzë 14-vjeçare, të cilën e akuzon për vjedhjen e çantës së saj me para dhe pasaportë në zemër të Venecias.

Ngjarja ndodhi në zonën Santa Maria del Giglio, ku turistja, pa hezitim, e tërhoqi të miturën nga turma duke i bërtitur: “Ti vodhe çantën time me pasaportën! Nuk po të lë të ikësh!”. Edhe pasi vajza kundërshtoi dhe bërtiti, turistja nuk e lëshoi, duke thënë: “Nuk ndalem, nuk do të ikësh!”. Kur mbërriti policia, vajza u përpoq të ikte duke goditur turisten me telefon në kokë, duke i shkaktuar plagë të thellë që kërkoi ndihmë mjekësore. E mitura dhe bashkëpunëtorja e saj u arrestuan, por u liruan me kusht dhe u panë sërish në rrugët e qytetit pas vetëm dy ditësh.

Autoritetet italiane paralajmërojnë për një rritje të përdorimit të fëmijëve nga bandat e vjedhjeve në Venecia, që përfitojnë nga boshllëqet ligjore. Kryebashkiaku i Venecias dhe qytetarë aktivistë kërkojnë masa urgjente për të ndalur këtë plagë që po dëmton imazhin e qytetit dhe sigurinë e turistëve.