Ky është momenti tronditës kur një turist përfundon i sulmuar nga një tigër i madh gjatë një tentative për të bërë një selfie në Tajlandë.
Pamjet filmike tregojnë burrin e emocionuar duke u ulur pranë kafshës së rrezikshme dhe duke i vendosur dorën mbi shpinë – një veprim që provokoi menjëherë reagimin e egër të tigrinës. I riu rrëzohet në tokë dhe dëgjohet duke bërtitur në panik, teksa trajneri përpiqet me dëshpërim ta tërheqë kafshën gjigante prej tij.
Vetëm pas disa sekondash dramatike, trajneri arrin të frenojë tigrin. Më parë në video, turisti shihej duke e shëtitur kafshën me një litar dhe duke ia përkëdhelur qetësisht gëzofin – krejt i pavetëdijshëm për atë që do të ndodhte.
Ngjarja ndodhi në Tiger Kingdom në Phuket dhe fatmirësisht, burri pësoi vetëm plagë të lehta. Por videoja e incidentit ka marrë dhenë në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar reagime të forta.
“Macet nuk e duan aspak përkëdheljen në pjesën e poshtme të shpinës, dhe ky burrë e bëri vazhdimisht derisa e provokoi,” shkruan një komentues. Një tjetër shton: “Problemi më i madh ishte kur ai e kapi tigrin për krah për ta fotografuar – është një gjest që macet e shohin si shenjë dominimi.”
Rasti ka rikthyer në vëmendje trendin e rrezikshëm të turistëve që paguajnë për të bërë foto me kafshë të egra, shpesh në kushte të dyshimta sigurie.
Ngjarje të tilla nuk janë të izoluara. Më herët këtë muaj, një turiste në Afrikën e Jugut u sulmua nga një hipopotam pasi injoroi paralajmërimet për t’u mbajtur larg. Hipopotami e përplasi në tokë përpara se të largohej, ndërsa autoritetet më pas e urdhëruan turistën të largohej menjëherë nga qyteti.
Ekspertët i kanë bërë thirrje publikut të shmangë ndërveprimin me kafshët e egra për “selfie të bukura” – një sjellje që mund të përfundojë me pasoja tragjike, si për njerëzit, ashtu edhe për kafshët.




