Një zjarr i rrezikshëm përfshiu këtë të martë një sipërfaqe prej 1 hektari tokë bujqësore në fshatin Plovisht të bashkisë Maliq, në Njësinë Administrative Gorë. Sipas autoriteteve, shkak është bërë pakujdesia e disa turistëve, të cilët ndezën zjarr dhe nuk e fikën para se të largoheshin.
Reagim i shpejtë, flakët neutralizohen në 20 minuta
Ngjarja u raportua rreth orës 11:29 të mëngjesit dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme të strukturave zjarrfikëse, forcave të pyjores, policisë dhe vullnetarëve, zjarri u neutralizua brenda 20 minutave, duke u shuar plotësisht në orën 11:50. Në operacion morën pjesë:
- 2 mjete zjarrfikëse me 7 efektivë,
- 10 forca pyjore,
- 4 vullnetarë,
- 2 mjete bashkiake,
- 3 efektivë të Policisë së Shtetit me 2 automjete.
Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar apo dëme në fondin pyjor përreth.
Apel për kujdes në ditët e nxehta
Autoritetet lokale kanë rindalur apelin për kujdes të shtuar, veçanërisht në këto ditë të nxehta vere, kur zjarret përhapen me shpejtësi dhe përbëjnë rrezik serioz për mjedisin dhe jetën e banorëve.
“Çdo pakujdesi mund të kthehet në katastrofë. Lënia e zjarreve pa mbikëqyrje është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj,” thuhet në njoftimin zyrtar.




