Një nga prurjet më të shumëpritura të këtij sezoni turistik në bregdetin e Durrësit, turistët izraelitë, është anuluar tërësisht si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Megjithëse kontratat mes agjencive turistike izraelite dhe resorteve shqiptare ishin nënshkruar me kohë dhe pritshmëritë ishin të larta, situata e tensionuar gjeopolitike ka ndryshuar tërësisht panoramën.
Sipas operatorëve vendas, anulimet kanë krijuar një vakum të papritur në rezervime, veçanërisht në pikun e sezonit veror, duke sjellë dëme të ndjeshme për industrinë e mikpritjes. Shumë struktura akomoduese kishin fokusuar marketingun e tyre pikërisht në këtë treg të ri dhe premtues.
Për të shmangur pasojat ekonomike, hotelet dhe resortet në zonë po reagojnë me fushata të shpejta promovimi, përfshirë oferta “last minute” në rrjetet sociale dhe bashkëpunime alternative me agjenci turistike nga rajoni.
Ky rast konfirmon edhe një herë se turizmi mbetet një ndër sektorët më të ndjeshëm ndaj krizave ndërkombëtare, me ndikim të menjëhershëm në ekonominë lokale, veçanërisht në qytete si Durrësi, ku turizmi është ndër burimet kryesore të të ardhurave sezonale.







