Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të diel në Gjirin e Durrësit, ku dy turistë u gjetën në rrezik për jetën mbi një motor uji me motor të fikur. Policia Kufitare ndërhyri menjëherë pasi u sinjalizua për mjetin e dyshimtë në det, por fatkeqësisht një prej turistëve, një 34-vjeçar, ndërroi jetë para se të mbërrinte ndihma mjekësore.
Turistja tjetër, një 31-vjeçare, është transportuar në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime nga spitali konfirmojnë se ajo nuk ka shenja hipotermie, ndryshe nga dyshimet e para, dhe ka deklaruar se kishte njohje pune me viktimën, duke qenë kolegë.
Sipas informacioneve paraprake, dy turistët ndodheshin në det me një motor uji të cilit i ishte fikur motori, duke i lënë të ekspozuar ndaj kushteve të vështira në det të hapur. Hetimet janë në vijim për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të identifikuar zyrtarisht viktimën dhe të mbijetuarën, pasi në momentin e ndalimit nuk kishin me vete dokumente identifikimi.
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 11:15, të datës 01.06.2025, shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës janë njoftuar se, në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, dy shtetas që lundronin me një mjet lundrues Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin mbi mjetin lundrues dhe kanë rënë në ujë.
Shërbimet e Policisë Kufitare, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar me mjet lundrues menjëherë në ndihmë të dy shtetasve që kishin rënë në ujë, duke bërë transportimin e tyre për në port, me qëllim transportimin drejt spitalit. Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, që ishte në pritje në port, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V. B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.